Tetova: Flamurtarin e bllokuam, e vështirë me Tiranën

Edlir Tetova, ish-mesfushori i Teutës, u ribashkua me Orges Shehin te Skënderbeu. Pas një eksperience në krye të paratërinjve të durrsakëve, ai u bë krahu i djathtë i teknikut të korçarëve. Sot ai ka dalë në konferencë për shtyp dhe ka folur për fitoren me vlonjatët fillimisht.

“Sa i takon ndeshjes kundër Flamurtarit, them se është një kapitull i mbyllur. Skuadra tregoi karakter dhe grintën e duhur për ta fituar ndeshjen. Tani presim ndeshjen e radhës. Ndeshjen e kishim përgatitur më së miri, duke ditur edhe lojën e trajnerit Daja. E studiuam gjatë gjithë javës Flamurtarin dhe lojtarët i kryen detyrat më së miri. Ata bënë detyrën. Normalisht kishim edhe pikat tona të forta. Nuk e dimë sa na kanë studiuar. Fundi dha rezultatin që na nxori ne fitimtar”, u shpreh Tetova para ndeshjes.

“Kemi një ndërthurje të lojtarëve të rinj me disa me eksperiencë, që kanë qenë pjesë e ekipit dhe kanë tituj. Edhe lojtarët e rinj janë futur te mentaliteti i këtyre. Sigurisht edhe me besimin që u kemi dhënë. Sigurisht që në kampionatin shqiptar eksperienca bën diferencën. Radas, Vangjeli dhe Muzaka kanë tituj në shpinë dhe bën diferencën. Ky ekip ka nevojë për tifozët, shpresojmë që në ndeshjet e tjera të kthehen”, shtoi zëvendëstrajneri i Skënderbeut.

Më tej Tetova vlerësoi bardheblutë, rivalin e radhës së korçarëve. “Tirana e ka ruajtur grupin, që është gjë e mirë. Edhe Skënderbeu ka lojtarë të rinj, sigurisht që kanë dalë kampionë dhe janë ndjerë pjesë e këtij triumfi. Patjetër që është shumë e vështirë. Kanë një grup që luajnë prej vitesh bashkë.

“Strategjia? Çdo ndeshje ka strategjinë e vet. Ndaj Flamurtarit luajtëm me Lulajn në qendër të mesfushës, sepse Bushiç është i fortë dhe duhet të priste topin e dytë. Ia dolëm ta bllokojmë”.

“Lojtarët kanë qenë pjesë e Skënderbeut. Siç e thashë edhe më parë, nuk e kanë ndjerë në fushën e lojës, por e kanë parë nga jashtë të fitojnë ekipin dhe e kanë marrë atë mentalitet fituesi”, përfundoi Edlir Tetova, zëvendëstrajneri i Skënderbeut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *