Tetori i zi i Shqipërisë në futboll, tani sytë janë nga 17-vjeçarët

Shtatë ndeshje të luajtura, asnjë fitore. Ky është bilanci i Shqipërisë së futbollit, në të gjitha nivelet. Duke nisur nga Kombëtarja, e cila barazoi 0-0 në miqësoren me Jordaninë, në një ndeshje që ndoshta duhej ta kishte fituar dhe humbje 2-0 në Izrael, në atë që ishte padyshim paraqitja më e mirë e skuadrës, me Kristian Panuçin në stol.

Ecuria negative vazhdoi edhe në përfaqësuesen Shpresa. Humbje ndaj Spanjës në “Selman Stërmasi”, me një gol të pësuar në minutat e fundit dhe barazim 2-2 në Estoni, me ekipin e Bushit që ishte dy herë në avantazh, por u ndëshkua sërish në fund, duke i mbyllur kualifikueset në vendin e parafundit në grup, me 7 pikë, pas një fitoreje dhe katër barazimeve.

Zhgënjim për përfaqësuesen e 19-vjeçarëve të Erjon Bogdanit, që ndodhej në një grup mjaft të vështirë kualifikues në Europianin e kësaj grupmoshe. Kuqezinjtë e vegjël regjistruan tre humbje në turneun e organizuar në Shqipëri, ndaj Ukrainës, Sllovakisë dhe Norvegjisë, por prej paraqitjes mund të kishin merituar më tepër, ndërsa kualifikimi në “Elite Round” dukej prej fillimit mjaft i vështirë.

Tashmë radhën për të bërë diçka dhe ndoshta për të ndryshuar trendin e ka përfaqësuesja e 17-vjeçarëve, që në turneun kualifikues të Europianit është pritëse. Edhe pse presioni për të regjistruar fitoren e parë kuqezi në muajin tetor është i madh, po kaq e lartë duket edhe shkalla e vështirësisë. Ekipi i Mustedanagiç do të luajë kundër Republikës Çeke, Norvegjisë dhe Azerbajxhanit, ku synimi kryesor është të evitohet pozicionimi në vendin e fundit, por duke shpresuar edhe te kalimi në “Elite Round”.

KOMBËTARJA
Miqësore            Shqipëri-Jordani 0-0 (10 tetor 2018)
Liga e Kombeve Izrael-Shqipëri 2-0 (14 tetor 2018)

SHPRESAT
Kualifikuese       Shqipëri-Spanjë 1-0 (11 tetor 2018)
Kualifikuese       Estoni-Shqipëri 2-2 (16 tetor 2018)

PËRFAQËSUESJA U19
Kualifikuese       Ukrainë-Shqipëri 1-0 (10 tetor 2018)
Kualifikuese       Sllovaki-Shqipëri 3-0 (13 tetor 2018)
Kualifikuese       Shqipëri-Norvegji 0-1 (16 tetor 2018)

PËRFAQËSUESJA U17
Kualifikuese       Rep. Çeke-Shqipëri (23 tetor 2018)
Kualifikuese       Norvegji-Shqipëri (26 tetor 2018)
Kualifikuese       Shqipëri-Azerbajxhan (29 tetor 2018)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *