Tetë vite larg shtëpisë, Skënderbeu rikthen mbrojtësin

Skënderbeu vazhdon punën për kompletimin e skuadrës në prag të nisjes së përgatitjeve për sezonin e ri dhe tashmë synimi i klubit është ndërtimi i një skuadre me moshë të re dhe me kosto të ulët, në krahasim me sezonet e shkuar, për shkak të humbjes së të ardhurave nga kualifikimi në kupat e Europës.

Pas kthimit të disa lojtarëve të huazuar, Skënderbeu po sheh edhe për futbollistë korçarë që janë shpërndarë nëpër Shqipëri dhe sot ka arritur marrëveshjen me mbrojtësin Erlis Frashëri, konfirmon portali “Korça Sot”.

Mbrojtësi 30-vjeçar, i cili në karrierën e vet ka luajtur edhe si sulmues e mesfushor, dy sezonet e fundit ishte pjesë e Kamzës, ku shkëlqeu, duke qenë një lojtar kyç edhe në Superiore, ndaj konsiderohet një bast i sigurt në Korçë, pasi eksperienca e tij është e madhe.

Për herë të fundit Frashëri ka luajtur me Skënderbeun në sezonin 2009/2010, kur ishte titullar, por u largua  pas arritjes së mbijetesës dhe ndërtimit të skuadrës milionere, që nisi të dominojë Shqipërinë.

Tani Skënderbeu kujtohet për djalin e vet dhe Frashëri bëhet gati të kthehet në shtëpi, sepse e ka pritur gjatë thirrjen e klubit ku u rrit dhe me shumë gjasa që këtë të enjte do të udhëtojë drejt Korçës për të dalë në stërvitje me Skënderbeun.

Frashëri do të marrë vendin e Kristi Vangjelit, i cili është një ndër lojtarët e larguar në fund të sezonit të shkuar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *