Tetë muaj pritje, Abrashi rrëfen rrugën e gjatë drejt riaftësimit

Amir Abrashit i është dashur të presë tetë muaj për t’u rikthyer në stërvitje me skuadrën e Frajburgut. Mesfushori i kombëtares shqiptare pësoi një këputje të ligamentit të kryqësuar në tranfertën ndaj Hertës së Berlinit më datë 10 mars. Shenja e operacionit në gjurin e tij të djathtë mbete ende shumë e dukshme.

Në një intervistë të shkurtër për medien lokale “Südwestrundfunk”, Abrashi tha se si e kishte përjetuar periudhën e gjatë të rikuperimit: “Kishte ditë ku gjithçka shkonte mirë dhe thosha: Forca, do të rikthehem. Por, kishte dhe nga ato ditë ku thosha: Përsëri ky avaz? Tani kanë kaluar shtatë muaj, s’mund ta ndryshosh këtë gjë”.

Për ta parë sërish Abrashin në Bundesligë do të na duhet të presim dhe pak. Mesfushori e ka të qartë se tetë muaj në infermieri e kanë lënë mbrapa pjesës tjetër të skuadrës dhe minutat e para do i duhet t’i marrë me ekipin B të Frajburgut. Nëse gjithçka shkon në rregull Abrashi do ta shohim në elitën e futbollit gjerman gjatë pjesës së dytë të sezonit, në muajin janar, ndërsa rikthimi në kombëtaren kuqezi pritet të ndodhë në grumbullimin e muajit mars.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *