Tërboi rusët, Ukraina do paguajë gjobën e kroatit Vukojeviç

Nuk ishin vetëm Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri ata që u bënë lajm në këtë Kupë Bote, për shkak të festimit me shqiponjë, që tërboi serbët dhe u kushtoi një gjobë shqiptarëve të Zvicrës, gjobë që gjithsesi e mbuluan pa problem mijëra shqiptarë falë donacioneve të tyre.

Një histori e ngjashme ka ndodhur me kombëtaren kroate, pasi ish-futbollisti Ognjen Vukojeviç, tashmë pjesëtar i stafit drejtues të kombëtares, festoi së bashku me mbrojtësin Domagoj Vida duke përshëndetur me një video gjithë ukrainasit. Të dy kanë qenë pjesë e Dinamo Kievit dhe kanë kujtime të shkëlqyera në Ukrainë, por kushtimi i fitores për Ukrainën dhe fraza “Lavdi Ukrainës!” ka tërbuar Rusinë, që e ka konsideruar një provokim të rëndë (shprehje mjaft popullore në Ukrainë, për të treguar patriotizëm).

FIFA gjobiti me 15.000 dollarë Vukojeviçin, ashtu si bëri me Xhakën e Shaqirin, ndërsa Kroacia urdhëroi Vukojeviçin të kthehet në shtëpi, për të evituar ndonjë acarim të metejshëm të situatës.

Ndërkaq, Federata Ukrainase e Futbollit (FFU) ka bërë të ditur nëpërmjet presidentit të saj Andrij Pavelko se do ta paguajë ajo gjobën e vendosur nga FIFA. Sot Pavelko ishte në parlament duke veshur fanellën e Kroacisë.

“Unë personalisht, si dhe stafi drejtues i federatës, kemi vendosur të kompensojmë Vukojeviçin për gjobën që ka marrë. Nëse ai mendon se është e mundur, i ofrojmë një punë në federatën ukrainase”, tha Pavelko për gazetarët ukrainas, duke shtuar se Vukojeviçit i ofrohet ndihmë ligjore e financiare, nëse do të apelojë në CAS kundër vendimit të FIFA-s. Sipas Pavelkos, Vukojeviç nuk ka kryer asnjë shkelje dhe nuk e ka përzier politikën me sportin, ndaj ka premtuar se do ta ngrejë si çështje në FIFA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *