Teqja, një hap larg Partizanit

Partizani dhe Tirana formojnë derbin më të ashpër në Shqipëri, një përballje që do të na mungojë minimalisht për 1 vit, vetëm nëse shorti i Kupës mund të rezervojë ndonjë përplasje surprizë. Megjithatë, pavarësisht marrëdhënieve të vështira ndërmjet dy klubeve nuk kanë munguar shkëmbimet e lojtarëve. Jo më larg se sezonin e shkuar ishte Asion Daja që kaloi nga Partizanit te Tirana, apo edhe ish-ët: Renaldo Kalari e Erando Karabeci. Edhe kjo merkato nuk do të përjashtojë mundësitë e një bashkëpunimi të tillë dhe emri që përmendët më shumë është ai i Olsi Teqjes. Në fakt, mbrojtësi duket vetëm një hap larg të kuqve dhe vetëm ndonjë e papritur mund të prishte marrëveshjen.

KONTAKTI – Partizani dhe mbrojtësi kanë pasur kontakte të avancuar mes tyre. Drejtuesit e “demave” dhe futbollisti kanë pasur diskutime ashtu siç kanë pasur edhe me Ditën, Shkodrën, apo Karabecin. Megjithatë, tashmë gjërat kanë evoluar dhe bisedimet janë në rrugën e duhur. 28-vjeçari e ka bërë të kryer se nuk do të vazhdojë më me ekipin e Tiranës e sidomos në Kategorinë e Parë. Mbrojtësi mund të përshtatet mjaft mirë me skuadrën e “demave”, aq më tepër që nuk lëviz nga kryeqyteti.

MARRËVESHJA – Burime brenda klubit të kuq bëjnë me dije se Partizani dhe lojtari janë gjithnjë e më afër. Bisedimet janë në një stad tjetër tashmë dhe palët shumë shpejt mund të zyrtarizojnë gjithçka duke hedhur të zezën mbi të bardhë. Teqja do të kthehej në “tradhtarin” e radhës që do të vendoste të kalonte nga Tirana te Partizani.

TIFOZËT – 28-vjeçari nuk është ndër lojtarët e kontestuar nga tifozët e kuq. Futbollisti ka pasur një marrëdhënie korrekte me tifozët dhe nuk ka pasur shumë situata të pakëndshme, përjashto raste sporadike tek-tuk gjatë ndeshjeve derbi. Ai do të ishte i mirëpritur te të kuqtë.

VENDI NË EKIP – Me afrimin e Teqjes në ekipin e të kuqve do të bëheshin 4 mbrojtës qendre që do të luanin për 2 pozicione. Kjo do të vështirësonte shumë kapjen e fanellës së titullarit, por edhe do të rriste konkurrencën në ekip. Por Krasniqi, Malota dhe Atanda kanë treguar se dinë të luftojnë për formacionin bazë dhe afrimi i Teqjas do të sillte një “luftë” të hapur, ose ndonjë largim të mundshëm…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *