Tensioni i madh, Crvena Zvezda niset drejt Kosovës për ndeshjen e çuditshme

Një vëmendje e madhe është për atë që do të ndodhë me Crvena Zvezdën për Kupën e Serbisë. Ekipi i njohur serb do të luajë përballë një ekipi të quajtur Trepça nga Mitrovica dhe përballja është programuar të zhvillohet në Kosovë.

Kjo ndeshje do të nxisë konflikte të ashpra politike dhe askush nuk e di saktësisht se çfarë do të ndodhë. Versionet janë nga më të ndryshmet, ndërsa FFK është ankuar në organizmat më të larta për këtë takim.

Por nga andej nuk ka ardhur përgjigja e kërkuar, duke ia lejuar të drejtën Crvena Zvezdës që të luajë ndeshjen e Kupës në Kosovë, megjithëse për shqiptarët konsiderohet si ilegale. Federata e Futbollit të Kosovës ka kërkuar nga policia e vendit që t’i bëhet pritë ekipit serb dhe të rikthehen nga u nisën, për të mos zhvilluar atë që kërkojnë.

Nga ana e policisë nuk ka ardhur një premtim dhe të gjithë presin më vëmendje fundin e këtij rasti të paprecedentë. Gjithsesi, Crvena Zvezda ka njoftuar se ekipi i tyre është nisur drejt Kosovës në orën 16:00 dhe zhvillime të reja do të ketë mes tensionit.

Një ndeshje e çuditshme kjo pasi nuk do të ketë rëndësi rezultati në fushën e blertë. Nëse Crvena Zvezda ia arrin që të luajë 90 minuta në këtë territor, mediat serbe do e quajnë si një fitore për egon e sëmurë. Në të kundërt do të jetë një tjetër zmbrapsje që u vjen nga shqiptarët, siç e kanë pësuar në vitet e fundit. Në të dyja rastet, rezultati do të jetë i fundit që do të komentohet. /Sport Ekspres/