Tension dhe karton i kuq pas ndeshjes, Shtubina: U tregova thjesht mbiemrin

Shkodrani u ndëshkua me karton të kuq vetëm pse ngriti bluzën me emrin e tij në drejtim të tribunës. “Doja t’u tregoja fëmijëve të mi që çfarë bën babai i tyre në fushë”

Fundi i ndeshjes solli tension. Ndriçim Shtubina ishte një nga të larguarit e Kukësit në dhjetor dhe shkodrani dje festoi kualifikimin në finale. Një “hakmarrje” e ëmbël për të, që në fund ngriti edhe fanellën. Normalisht ka dashur të tregojë që vlen, një mesazh për drejtuesit e klubit, pasi me tifozët ai nuk ka pse të ketë ndonjë gjë. Gjithsesi nuk munguan ofendimet në kor, por edhe përplasja në një moment mes lojtarëve. Debate dhe kaq, gjithçka u shua shpejt. Për shkodranin pati një karton të kuq dhe kjo i acaroi lojtarët e Laçit. Vetë Shtubina ka sqaruar gjestin e bërë në një prononcim të dhënë për “Sport Ekspres”, teksa thotë: “Nuk kam bërë asgjë, thjesht tregova mbiemrin që kam, doja t’u tregoja fëmijëve të mi që çfarë bën babai i tyre në fushë. Unë luaj për fëmijët dhe vetëm kaq bëra, u tregova mbiemrin. Unë e kam Shtubina të shkruar edhe në shpinë, mos duhet të më japin karton edhe për këtë? Edhe Mesi me Ronaldon tregojnë mbiemrin në fanellë dhe nuk e quan njeri provokim, e aq më shumë t’u japin kartonë. Normalisht nuk dua që në asnjë mënyrë ta humbas finalen”.

FUTJA NË TUNEL
Për lojtarët e Laçit festa nuk zgjati shumë, pasi më pas duhet të drejtoheshin drejt dhomave të zhveshjes. Për të hyrë në ambientet e brendshme të tribunës qendrore duhej ndihma e policëve. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë i vunë në punë skafandrat e tyre dhe i futën në tribunë lojtarët e Laçit grupe-grupe, ndërkohë që po largoheshin edhe tifozët, që nga tribuna nuk i kursyen hedhjet e shisheve në fushë pas përfundimit dhe gjatë ndeshjes.

Disiplina “shpëton” shkodranin, do të jetë në finale
Ndriçim Shtubina u ndëshkua me karton të kuq dhe për gjestin e bërë do të jetë Komisioni i Disiplinës që do të japë dënimin për të. Kjo i jep mundësinë shkodranit të linjës së djathtë që ta shlyejë pezullimin në kampionat dhe të jetë i gatshëm për finalen e Kupës së Shqipërisë me Skënderbeun. Në këtë mënyrë sfida e së dielës në kampionat me Kukësin do të humbet nga Shtubina.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *