Telushi: Sherifin e godasim në pikat e dobëta, mos gjykoni prej Karabakut

Bruno Telushi ka qenë në konferencë për shtyp në krah te teknikut Lerda para ndeshjes kundër Sherif Tiraspolit, ku ka mbrojtur shokët e tij të skuadrës. Mesfushori tha para mediave se ekipi nuk duhet gjykuar nga përplasja me Karabakun. Në fjalën e tij, Telushi u shpreh:

GRUPI – “Partizani edhe në sezonin e shkuar edhe tani ka pasur grup cilësor. Me këtë grup që kemi ne synojmë që të jemi sa më të fortë. Një dorë të mirë po na japin edhe lojtarët që kanë ardhur si përforcime, sepse edhe ata kanë filluar që të ambientohen me skuadrën. Vërtetë lojtarët e ardhur kanë pak kohë, ndërsa sulmuesit nuk mund t’i vlerësojmë nga ndeshja me Karabakun. Mendoj se në ditët në vazhdim edhe ata do të jenë një forcë e madhe e Partizanit. E rëndësishme është që kemi konkurrencë në sulm dhe kjo është shumë pozitive për skuadrën dhe trajnerin”.

SHERIFI – “Është një kundërshtar i fortë, por as për t’u nënvlerësuar dhe as për t’u mbivlerësuar. Ne do të kërkojmë që t’i godasim ata në pikat e dobëta. Kam besim se do të jetë një ekip më sulmues në ndeshjen që do të luajmë këtu”.

KUALIFIKIMI – Shanset janë të mëdha, kryesore është që ne të futemi dhe të japim më të mirën tonë. Të luajmë siç edhe luajtëm me Karabakun, të përmirësohemi në sulm dhe kam besim se do të bëjmë gjëra shumë të mira”.

ROLI – “Kam luajtur me Hilën, edhe me Koten që është djalë i ri. Tashmë po përshtatem edhe me Melon apo Malën. Çdo gjë e vendos trajneri. E rëndësishme që kushdo që të futet të bëj më të mirën për Partizanin”.

TIFOZËT – Mesazhi është i qartë për tifozët tanë. Ata janë një tifozeri e mrekulleshme. Janë lojtari ynë i 12-të dhe kjo na ndikoi edhe në Baku. Po të ishin ata do të jepnim edhe më shumë, sepse dihet që ata janë një “frymë” dhe forcë e madhe për ne”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *