Telushi: Gega i veçantë, ja çfarë më bëri menaxheri në Kroaci!

Bruno Telushi po tregon një formë të mirë te Partizani, teksa ka arritur të shënojë edhe dy gola. madje njërin prej tyre ia parealizuar Flamurtarit të tij. Mesfushori ndihet mirë te të kuqtë, çka i krijon komoditetin për të dhënë më të mirën.

Këtë vlonjati e ka shprehur edhe në një intervistë të dhënë për “Superliga_shqiptare80” në Instagram. Telushi më tej flet edhe për trajnerin Skënder Gega, të cilin e konsideron si të veçantë.

“Kam punuar me shumë trajnerë, por profesor Gega bën diferencën për shkak të mentalitetit që ai ka dhe që na e përcjell edhe ne futbollistëve. Është i veçantë për mua”, thotë mesfushori, i cili më pas tregon se si u ndje pas golit që i ka shënuar Flamurtarit, ekipit të vendlindjes.

“Goli që shënova më bëri të ndihesha super, por edhe u ndjeva keq për shkak të fanellës së Flamurtarit. Më kanë dhënë shumë si ekip, por edhe unë u kam dhënë shumë. Nuk do e hedh poshtë për as një moment”, shtoi Telushi.

KOMBËTARJA – Fanellën kuqezi çdokush do donte ta vishte: “Çdo lojtar e ka dëshirë sikur edhe njëherë të testohet në kombëtare. Unë kam qenë pjesë e kombëtares disa herë, por nuk jam testuar as një minutë. Por do ndihesha mirë sikur të provohesha. Jo vetëm unë, por ka disa nga Superliga që mendoj se e meritojnë një ftesë”.

PROBLEMET NË KROACI – Në fund ai ka treguar edhe momentin e tij më të vështirë dhe e ka kaluar në Kroaci, kur ishte pjesë e Slaven Belupos. “Momenti më i vështirë për mua ka qenë në Kroaci, pasi pata zhvilluar 6 ndeshje shumë të mira duke dalë dhe në formacionin e javës disa herë. Një menaxher i imi më prishi punë dhe që nga ai moment nuk u aktivizova më sepse nuk donte ai. Aty jam ndjerë keq, por futbolli kështu e ka, ka momente të mira dhe të vështira. Por unë mundohem të kaloj çdo pengesë. E rëndësishme është që jam pjesë e Partizanit dhe do jap maksimumin tim për tifozët e mrekullueshëm dhe për skuadrën”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *