Tefik Osmani pa batuta: “S’kam provokuar askënd, më i miri sulmohet gjithmonë”

Futbollisti i Skënderbeut flet për sezonin e mbyllur me dy trofe të fituar, festën e veçantë dhe sqaron batutën për ta luajtur Superkupën me vajzat e Partizanit

Leonard Trebicka

Mbrojtësi-mesfushor i Skënderbeut, Tefik Osmani, i njohur nga të gjithë në opinionin publik për batutat e tij, në një intervistë të gjatë për “Sport Ekspres”, tregon gjithçka me shumë sinqeritet, duke sqaruar një herë e mirë fjalinë e tij: “Superkupën do ta luajmë me vajzat e Partizanit”. Lojtari korçar rrëfen rrugëtimin e gjatë të Skënderbeut në sezonin e fundit dhe beson shumë se ekipi korçar do të jetë në Champions.

– Osmani, ku po i kaloni pushimet, pas dy trofeve të fituar me  Skënderbeun?

– Për momentin, jam në shtëpinë time në Çerep të Kavajës. Këtë javë kam vendosur të pushoj këtu dhe ndoshta javën tjetër mund të lëviz me familjen jashtë vendit.

– Kampionat i lodhshëm ky që përfundoi, po ju shijoi fundi, apo jo?

– Ka qenë vërtet një sezon i lodhshëm, pasi kemi filluar që më 9 qershor të vitit të kaluar dhe ja ku jemi në këtë moment, thuajse një vit më vonë, por kur arrin të fitosh gjithçka që ke pasur si objektiv, të shijon çdo gjë më shumë.

– Hera e parë që fitoni dy trofe brenda një sezoni?

– Nuk kisha fituar asnjëherë në karrierën time dy trofe brenda një sezoni. Madje, fitimi i Kupës së Shqipërisë për herë të parë në histori për Skënderbeun ishte diçka e madhe, ja që e thyem edhe këtë “tabu”.  Ishte mbyllja më e mirë e një sezoni, qëe u plotësua nuk kemi çfarë kërkojmë më shumë.

– Titullin kampion e keni festuar si të çmendur, ju veçanërisht. Çfarë kishte kaq të veçantë ky titull?

– Ka qenë vërtet një festë ndryshe, pasi këtë vit kemi vuajtur jo pak, kjo dihet. Dënimi i UEFA-s dhe me radhë të tjerat bënë që ne festa për ne të ishte ndryshe. Ia dolëm dhe festa ishte e ligjshme.

– Në shumë video jeni shfaqur ju si futbollisti kryesor me këngë provokuese ndaj kundërshtarëve? Pse?

– Dua ta sqaroj këtë moment. Kjo nuk ka pasur aspak lidhje me kundërshtarët. Ka qenë thjesht një moment feste dhe nuk ka qenë aspak provokuese. Gjithsesi, kujt t’i djegë, le ta mbajë, por s’ka pasur lidhje me kundërshtarët, këtë e them me sinqeritetin më të madh.

– Keni thënë në një emision televiziv përpara fitimit të dy trofeve se Superkupën do ta luani me vajzat e Partizanit. Çfarë keni dashur të thoni realisht me këtë fjali?

– Ka pasur një keqinterpretim të kësaj fjalie. Më vjen shumë keq për tifozët e Partizanit dhe, nëse janë mërzitur me mua, u kërkoj falje publike. Atë fjali, pra që Superkupën do ta luajmë me vajzat e Partizanit, e thashë sepse përballë meje ishte një volejbolliste e Partizanit, e thashë në formë batute. Më vjen vërtet keq, pasi është keqinterpretuar. Nuk dua ta zgjas më, le ta marrin si të duan ata që nuk e kuptojnë Osmanin.

– Që nga ai moment, a ka pasur reagime ndaj jush nga tifozët e të ekipeve rivale?

– Reagime ka pasur nga tifozët e Partizanit, por besoj se tani do të sqarohen. Shumica e miqve të mi, që janë tifozë të Partizanit, e dinë shumë mirë çfarë kam dashur të them, më kanë kuptuar.

– Po pse ky reagim i tifozëve të kuq, kur ju edhe keni luajtur me Partizanin?

– Kur shkova te Partizani në sezonin 2007-2008, kujtoj që kam puthur edhe fanellën e kuqe. Në atë kohë kisha një ofertë nga ish-presidenti Albert Xhani, por nuk kisha firmosur ende. Një gazetar më pyeti ku kisha firmosur dhe unë iu përgjigja: Firmosa me Partizanin. Më telefoni të nesërmen Albert Xhani dhe më tha: nisu urgjent në Tiranë, hajde të të jap 10 mijë dollarë vetëm për fjalën që the, duke respektuar fanellën e kuqe. U ndjeva mirë në atë klub, prandaj e putha fanellën e tij dhe i falënderoj të gjithë shumë.

– Ajo foto, ku ju keni puthur fanellën e Partizanit po qarkullon shumë…ve tuaja?

– Po e them përsëri se në atë kohë kisha respektin maksimal për atë fanellë.  

– Tefik, vërtet e kanë kaq shumë inat Skënderbeun rivalët?

– Normalisht, Skënderbeu nuk ka rivalë këto vitet e fundit dhe dashje pa dashje të mirin e sulmojnë gjithmonë. Kjo gjë po ndodh me Skënderbeun, sepse është më i miri.

– Keni një dedikim për dy trofetë e këtij sezoni?

– E kam thënë edhe më parë, familja më qëndron gjithmonë pranë, bashkëshortja dhe dy binjakët Teo dhe Irti, por që nga ndarja nga jeta përpara kohe e vëllait tim Ladit, ia dedikoj veç atij të gjithë sukseset.

– Për pak ditë mbushni 33 vjeç. Keni akoma forcë për të vazhduar, dhe sa vite do t’ju shikojmë në fushë?

– Këtë vit që kaloi luajta shumë pak si qendërmbrojtës, pasi kam luajtur si mesfushor, që është më e lodhshme. Po ju them se do të luaj edhe 2-3 vite të tjera si mesfushor, pra përpara mbrojtjes dhe më pas 2-3 vite të tjera si qendërmbrojtës. Bëjini llogaritë vetë.

– Gjatë festës së titullit kampion ishit në fushë bashkë me dy djemtë tuaj. Kanë premisa Teo dhe Irti të bëhen futbollistë?

– Këtë pyetje ma bëjnë shpesh shumë persona. Për mua, le të zgjedhin vetë, pasi edhe mua nuk më detyroi njeri të bëhesha futbollist. Dua që të vazhdojnë shkollën dhe të marrin edukatën që duhet, pastaj çdo gjë është në dorën e tyre.  

– Osmani, në karrierën tuaj të gjatë, me cilin ekip jeni ndjerë më mirë: me Partizanin, Teutën, Vllazninë, Tiranën, Skënderbeun?

– Nuk janë vetëm këto skuadra, janë edhe Tomori dhe Elbasani. Me të gjitha skuadrat jam ndjerë mirë, sepse kam dhënë maksimumin kudo. Skënderbeu më kishte munguar shumë, sepse doja të luaja me ngjyrat e qytetit tim, ndaj dhe në Korçë është diçka e veçantë.

– Flasim pak për kontratën. Çfarë do të ndodhë me Osmanin në të ardhmen?

– Osmani, në çdo ekip që ka qenë, thjesht ka pasur një akord kur i përfundonte kontrata dhe asnjëherë nuk jam larguar vetë. Dua të thotë se jam pjesë e Skënderbeut, kjo nuk diskutohet.

– Keni vite që jetoni në Tiranë dhe luan për Skënderbeun…

– Skënderbeu ka një të mirë të madhe, pasi një javë qëndron në Korçë dhe një javë në Durrës. Pra, kemi relaksin, plazhin në mes dhe jam edhe pranë familjes.

– Gjatë këtyre ditëve, keni folur me presidentin Takaj apo drejtues të tjerë?

– Nuk kemi folur. Shpresojmë shumë që ditët në vazhdim të na vijë përgjigja pozitive nga CAS-i. Kam shumë besim se Skënderbeu ka për të luajtur në Champions. Kryesorja për mua dhe për drejtuesit është që verdikti final i CAS-it të jetë në favorin tonë sa i takon dënimit 10-vjeçar nga UEFA. Kur ta fitojmë këtë çështje, do të jetë dita e madhe e korçarëve.

– Po në rast se Skënderbeu do të marrë përgjigje negative, Osmanin do ta shikojmë me ndonjë skuadër tjetër?

– (Qesh) Këtu do ta shikojmë kush e do realisht Osmanin. Uroj të mos ndodhë kurrë kjo që po më pyesni, por nëse do të merrja një ftesë për Europën nga ndonjë skuadër tjetër, nuk do t’i thosha jo.  

– Ky dënim kaq i gjatë nga UEFA, pse ka ardhur sipas jush?

– Mendoj që Skënderbeun duan ta bëjnë shembull për të tjerët. Ky është mendimi im.

– Mund të na jepni një vlerësim për futbollistët e Skënderbeut, ndoshta mund të veçoni ndonjërin?

– Po të veçoj lojtarë të Skënderbeut, shumë të tjerë që nuk do t’ua përmend emrin, do të më mërziten. Ne jemi një grup, ku kapiteni Orges Shehi ka merita të jashtëzakonshme, por jo vetëm ai. Veçoj Muzakën, pasi si këtë sezon nuk e kam parë asnjëherë që kur e njoh atë lojtar. I shkëlqyer.

– Batutat ju kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës…

– Kudo ku kam qenë, nuk i kam ndarë batutat. Them se gjithmonë më kanë shkuar, prandaj nuk do t’i ndaj.

– Keni diçka për të shtuar?

– Mendoj se i thashë të gjitha. Mezi po presim të vijë vendimi pozitiv për ne dhe të nderojmë në Europë gjithë shqiptarët, pastaj presim me shumë besim verdiktin final të dënimit 10-vjeçar. Me këto gjëra po jeton Osmani, futbollistët, drejtuesit e Skënderbeut dhe gjithë Korça.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *