Të vërtetat e Tefik Osmanit, nga Skënderbeu te zgjedhja e Teutës

E ardhmja e Tefik Osmanit u shndërrua në telenovelën e kësaj vere në futbollin shqiptar. Një lojtar cilësor, të cilin të gjithë e kërkonin, por mes “big”-ëve të interesuar, garën e fitoi Teuta, ekipi më pak i kuotuar.

Pas përfundimit të kontratës në Korçë, Flamurtari dhe Partizani u interesuan seriozisht. Skënderbeu provoi ta mbante, me trajnerin Shehi që e kërkonte me ngulm, por zvarritja e bisedimeve dhe mungesa e marrëveshjes bën që Osmani të zgjidhte “djemtë e detit”.

Në një intervistë për “Super Sport”, 33-vjeçari tregoi të vërtetat e tij, pengjet dhe pritshmëritë në rikthimin në Durrës, edhe pse prapaskenat e akordit të munguar me kampionët në fuqi mbeten të rrethuara nga misteri.

ZGJEDHJA – “Drejtuesit e Teutës, duke përfshirë presidentin dhe stafin teknik, kanë bërë të pamundurën për mua, duke më pritur deri tani. U kisha premtuar se nëse nuk do shkonin si duhet gjërat te Skënderbeu, do të vija te Teuta dhe ata më kanë pritur deri në këto momente. Në ambientin e Durrësit ndihem shumë mirë dhe tashmë do të jem edhe afër familjes, që jeton në Tiranë”.

NEGOCIATAT – “Osmani nuk ka tradhtuar, por është tradhtuar dhe mendoj se kanë tentuar të më bëjnë edhe keq. Megjithatë t’ia lëmë kohës dhe të shohim se kush do dalë më i humbur nga kjo. Falënderoj Teutën, pasi isha në rrugë dhe ata hapën derën e më morën në shtëpinë e tyre. Për Skënderbeun kam dhënë dhe pranuar gjithçka. Pas përfundimit të sezonit, unë isha lojtar i lirë dhe kisha kushtet e mia për të vijuar. Kam pritur shumë dhe ishte momenti që të merrja një vendim, ndaj mendoj se kam dalë unë i tradhtuar. Kam folur gjithmonë në sy dhe për këtë e mbaj kokën lart”.

SKËNDERBEU – “Nga Skënderbeu nuk largohem dot, pasi aty kam familjen, jam rritur dhe mbi të gjitha jam tifoz i atij ekipi. E kisha menduar që karrierën ta mbyll në ekipet që kam pasur më për zemër dhe Skënderbeu ka qenë skuadra ime, por jo gjithçka varej nga unë, pasi vendimi është i drejtuesve”.

TEUTA – “Teuta ka pasur në përbërje lojtarë të talentuar, por edhe me eksperiencë. Mendoj se jemi një grup i mirë dhe një klub i lezetshëm, që në vazhdim mund ta quajmë edhe ekipi surprizë për këtë kampionat”.

SHKËMBI DHE SHEHI – “Fakti që kam luajtur me Blendin, më obligon që të të jem gjithmonë i pari dhe të jap maksimumin, për të shmangur ato gojët e liga. Gesin dua ta falënderoj, pasi më ka kërkuar edhe në telefon, edhe publikisht, por ai e di mirë se çfarë ndodhi me mua”.

OBJEKTIVAT – “Mendoj se ekipi duhet të jetë në 3-4 vendet e para dhe Kupën e Shqipërisë e shikoj si një nga trofetë më të lehtë, pasi kampionatin është më i gjatë dhe duhen shumë lojtarë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *