Të shënosh kur duhet dhe të pësosh pafund! Daja po merr maksimumin edhe te Skënderbeu

Ajo dramë e mbyllur me tre pikë ndaj Bylisit, ishte një provë force e Skënderbeut ndaj ekipit më në formë të Superiores. Me shumë penallti, përmbysje të rezultatit dhe ndeshje që vendoset në minutat e fundit, ndikim ka edhe dora e trajnerit për mënyrën sesi skuadra duhet të qendrojë në fushë, kur “busulla” ka humbur tërësisht.

Në fakt vetëm trajneri Ilir Daja mund ta merrte këtë skuadër dhe që të grumbullonte 17 pikë në 11 ndeshje. Të kesh një goditje të madhe me atë dënim në Europë është vërtet shumë për lojtarët që kanë një motivim më pak se gjithë ekipet e tjera.

Por mbi të gjitha ky trajner e di se kur ekipi i tij duhet të shënojë për t’u përkëthyer në pikë. Nëse shohim golat e pësuar, Skënderbeu duhet të renditej menjëherë pas Flamurtarit dhe Luftëtarit, madje duke qenë edhe shumë larg Vllaznisë që ka grumbulluar 16 pikë.

Por renditja tregon të kundërtën. Korçarët kanë pësuar 21 gola, po aq sa Luftëtari dhe më keq renditet Flamurtari me 24 gola. Ndërsa me ekipet e tjera diferenca është e jashtëzakonshme në këtë aspekt. Megjithatë ato gola të shënuar, rrallëherë kanë qenë sa për statistikë, pasi Daja kërkon të marrë pikë pas çdo topi të dërguar në rrjetë, që Skënderbeu të mos përjetojë një shije shumë të hidhur në fund të kampionatit. /Sport Ekspres/