Të rinjtë, Bregu dhe titulli që i mbetet peng: Rrëfehet Orges Shehi

0

Skënderbeu i tij u mund, por Orges Shehi mendon se Partizani nuk i dominoi dhe gjithçka u vendos nga episodet. Durrsaku i stolit korçar gjen edhe arsyen pse ekipi i tij vuan në këtë pjesë, duke theksuar se mungesa e eksperiencës është ajo që i penalizon.

Nuk jam i zhgënjyer nga loja, por nga rezultati. Vazhdojmë të ndëshkohemi nga episodet. Nuk është se skuadra nuk dha dhe nuk është se kundërshtari na imponoi. Vazhdojmë të ndëshkohemi nga episodet dhe e dimë shumë mirë. Jam shumë i ndërgjegjshëm, që kur ke një skuadër të re do vazhdosh t’i vuash këto episodet, do vazhdosh të vuash edhe faktin që skuadra nuk ka aq eksperiencë dhe që ende nuk e kupton që ndeshjet vendosen nga episodet dhe jo nga gjërat e mëdha. Detajet janë ato që bëjnë diferencën”, u shpreh fillimisht Shehi.

Më tej ai vijon me analizën e tij: “U ndëshkuam nga një goditje standarde dhe ai është një episod. Hymë në fillim në presion, duke i dhuruar kundërshtarit shumë goditje standarde. Pjesën e dytë u munduam të qarkullojmë topin, por penalltia më pas thuajse e mbylli ndeshjen”.

ORGANIZIMI I SULMEVE DHE PENALLTIA – Skënderbeu i tij nuk është se bëri shumë në sulm kundër Partizanit: “Sigurisht skuadra duhet të dalë në sulm. Pjesën e parë kemi shkuar deri te porta, dy tre herë. Nuk është se bëmë ndeshjen tonë më të mirë, por duke qenë në raport me kundërshtarin, ata shfrytëzuan momentet dhe ne gabuam te rasti i penalltisë. Pretendime? E kam thënë gjithmonë që nuk do të merrem me arbitrat dhe do vazhdoj të mos merrem. Shyqyr që ndeshjet jepen në televizion dhe gjithë shqiptarët i shohin se cilat janë penallti dhe cilat jo”.

KAMPIONATI DHE OBJEKTIVAT – “Kampionat i çuditshëm? Jo, nuk më duket fare. Kjo sepse e kam thënë që në fillim, se me këtë kampionat, me këto rivalë, mund të fitosh ndaj kujtdo dhe mund të humbësh ndaj kujtdo. Kjo po vërtetohet”, shton Shehi.

“Europa? Sigurisht që skuadrat janë shumë afër dhe ne na shqetëson pak performanca, na shqetësojnë pak luhatjet e skuadrës. Para dy ndeshjesh, me Kukësin dhe Teutën, bëmë ndeshje shumë të  mira, ndaj kundërshtarësh shumë të fortë. Çaluam në Gjirokastër dhe ndaj Partizanit deri diku. Kjo na shqetëson. Duhet të rikthehemi tek ai cinizmi që kemi pasur në dy fazat e para”, deklaron trajneri i bardhekuqve.

TITULLI I HUMBUR ME PARTIZANIN – “Para 11 vitesh humbët titullin me Partizanin, është viti i duhur ky për ta fituar “demat”? Atë kampionat e kam humbur dhe më ka dhimbur shumë. Ju e dini shumë mirë që atë kampionat kam pasur edhe dëmtim. Më vjen keq që e kam humbur unë. Se çfarë ndodh me rivalët, nuk kam ndonjë interesim të madh. Më intereson që skuadra ime të ngjitet sa më lart për të arritur objektivat”, ishin fjalët e Shehit.

DEJVI BREGU – Vlonjati ishte në hije kundër të kuqve dhe normalisht Shehi pret që ai të jetë i dy fazave të para. “Dejvi është lojtar i rëndësishëm, është golashënuesi ynë më i mirë dhe të gjithë i dinë cilësitë e tij. Ai vjen pas një dëmtimi të gjatë. Jemi munduar ta menaxhojmë mirë, duke i dhënë minutat. Këtë herë e futëm gjithë ndeshjen. Sigurisht na mungon dhe shpresojmë të kthehet sa më shpejt. Janë edhe shtatë javë, është edhe gjysmëfinalja e Kupës. Shpresoj ta rikuperojmë edhe atë, që të na japë jo vetëm atë që na ka dhënë fazën e parë, por edhe atë që i ka dhënë kampionatit edhe në vitet e kaluara”, shprehet durrsaku.

TË RINJTË – Në fund trajneri i Skënderbeu flet edhe për të rinjtë: “Pëllumbi është një lojtar tek i cili kam besim. E kam futur ndeshjen e parë me Laçin dhe vazhdoj t’i besoj. Është një djalë i ri, djalë punëtor. Ne kemi skuadër të re, kemi Pëllumbin, kemi Dajsinanin, Kabën. Janë këta lojtarë që unë u kam dhënë besim dhe mos t’ju duket çudi që pas dy vitesh t’i shikoni në kampionate shumë të forta. Janë lojtarë që kanë cilësi dhe atëherë do të më kujtoni dhe do thoni që kam bërë shumë mirë që i kam aktivizuar”.

VLADIMIR PRENGA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.