Të qeshësh apo të qash? Në Shqipëri asnjë lekë, Italia me 100 milionë euro në futboll: Duhet ushqim edhe për kafshët

Në këtë kohë kur Koronavirusi ka pushtuar dhe po kalon në një krizë të madhe të gjithë sektorët në të gjitha shtetet, futbolli dhe sporti në përgjithësi është duke u prekur shumë. Dita-ditës po dëgjojmë raste me skuadrat e njohura dhe nga elitat në Europë që rrezikojnë falimentimin.

Ajo që nuk po kuptohet në Shqipëri është serioziteti i kësaj çështje, teksa shteti nuk pranon të jap asnjë lekë për futbollin që t’i vijë në mbështetje. Kjo do të ndikojë shumë në kampionatin tonë dhe për të na kthyer edhe njëherë pas në kohë, ndërsa ishim duke hedhur disa hapa përpara.

Ndërkohë ministri i sportit në Itali, Spadafora ka firmosur dekretin prej 100 milionë eurosh që do të jetë në mbështetje të sportit për atë që do të quhet fondi i ndihmesës. Por përtej shifrës dhe statistikave, ajo që përbën më shumë habi krahasuar me qendrimin në vendin tonë, janë fjalët e thëna nga ministri i sportit.

Ai e quan jetike për vendin e tij këtë sektor, ndërsa futbolli është një nga industritë më të rëndësishme të Italisë, madje në llogaritë e marra parasysh shkohet deri aty aqsa llogaritet edhe ushqimi që mund të mungojë për kafshët shtëpiake, nga persona të ndryshëm të botës së sportit që i mbajnë aktualisht.

“Shumë klube sportive po përballen me një krizë të paparë. Vështirësi të mëdha në pagimin e qirasë, faturave, pagave, ushqimit për kafshët që kanë në shtëpitë e tyre. Që nga fillimi i pandemisë, qëllimi im i parë ka qenë që të parandaloj që edhe një realitet tjetër të mbyllet për shkakun e Koronavirusit, sepse sporti është gjaku i jetës së Italisë. Mënyra më e mirë për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Sportit është me akte konkrete”,tha Spadafora. /Sport Ekspres/