Të programuar për të humbur

Nga: Saimir Demi

Ne Luksemburg ishte thjesht një miqësore, ku trajneri ynë vazhdoi me seritë e eksperimenteve dhe meqenëse po insiston, të shpresojmë që dikur do të vijë koha për të marrë konkluzione pozitive. Ky ishte edhe përfundimi i përbashkët i futbollistëve të Kombëtares, madje edhe i përmirësuar, pasi na u tha se, nëse po kjo skuadër arrin një rezultat pozitiv në Izrael, atëherë do të na fshihet automatikisht nga memoria gjithçka ndodhi ndaj skuadrës më modeste të Beneluksit. Por kjo skuadër është një simbol i vendit, e ndërtuar për të na dhuruar kënaqësi dhe jo për të na mësuar se sa mirë ndjehesh, kur pas një periudhe jete si sklerotik, befas të sjellin kujtesën.

Nuk është hera e parë që ne bëjmë paraqitje të tilla, por tashmë situata duhet analizuar, pasi është agravuar aq shumë, saqë nëse vazhdohet me këtë ritëm, ka shumë mundësi që së shpejti Kombëtaren ta kemi vetëm si objekt. Këta tanët u futën si të mëdhenj në fushën e lojës dhe tundeshin përpara kundërshtarëve, ashtu siç bënë një ditë më parë nëpër rrugët e Luksemburgut, ndërsa në fund pranuan të poshtëroheshin. Por kjo që na ndodhi është mëse normale, pasi në përgjithësi jemi një stonaturë e vërtetë, kur marrim guximin të delirojmë. Jemi humbës…

Në miqësoren e së dielës kishte edhe një pamje interesante për t’u shijuar. Një futbollist vendas i kërkon zëvendësim trajnerit të tij, duke bërë shenjë që i kanë shteruar energjitë, megjithëse kishin mbetur shumë pak minuta përpara vërshëllimës përfundimtare të arbitrit. Ky ishte një gjest, që Zherson e bëri për skuadrën, ndërsa te ne zëvendësimi konsiderohet si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe si i tillë duhet refuzuar me protesta të fuqishme. Aq të ndjeshëm jemi si popull ndaj futbollistit që thirret në pankinë, saqë në 90% të rasteve i ofrojmë mbështetje pa kufi, duke e trajtuar si Martin Luter King. Edhe kjo është një arsye se pse kemi filluar gjithmonë të humbasim…

“Një Italian ju bëri të fluturoni”, kjo ishte batuta që nxori De Biazi nga arkivi i tij i pasur, duke e konsideruar si më të gjeturën pas humbjes në qytet-shtetin 500 mijë banorësh. Më parë, sa herë që nuk i pëlqente ndonjë konstatim i shqiptarëve, përdorte një tjetër: “Pëllitjet e gomarit nuk dëgjohen në qiell”, shprehje që duket se e tërhoqi nga qarkullimi, pikërisht kur kishte tendenca për t’iu kthyer në boomerang. Është ai që po kryeson listën e delirantëve në këtë garë “Kombëtare” dhe skuadra ka humbur dëshirën, ndërsa një pjesë e lojtarëve të seleksionuar janë thjeshtë qoka. Prandaj humbasim…Të gjithë e mbajmë mend, kur në festën e kualifikimit, në sheshin “Skënderbej” brohorisnin De Biazin dhe vërshëllenin Dukën. Në fakt duhet të ndodhte e kundërta, pasi ishin skemat jashtë fushe të Dukës, që na çuan në Francë dhe jo ato të “italianit fluturues” në kuadratin e gjelbër. Pikërisht këto skema fituese nuk po zbatohen më dhe ne humbasim vazhdimisht…

Do të vazhdojmë ta vuajmë mungesën e atyre futbollistëve, që trajneri ynë i injoroi, apo i përzuri në prag të finaleve të Europianit. Por edhe faktin që si shqiptarë të mirë, hapëm një luftë agresive sportive me Kosovën, por edhe ata me ne. U munduam t’i merrnim njëri-tjetrit çfarë kishim më të mirë dhe përfundimi është pjella jonë unike: Një Komb, dy Kombëtare dhe të dyja njëlloj…vetëm humbëse.

One thought on “Të programuar për të humbur

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *