Të përlyer deri në fyt: PSG, Siti e Infantino, mashtrim gjigant me Fair-Play financiar

0

Prej kohësh bota e futbollit është tronditur nga zbulimet e raporteve sekrete të Football Leaks, me mijëra dosje të grabitura nga piratë informatikë, që po furnizojnë mediat.

Tashmë zbulohet skandali i radhës: kampionët anglezë të Mançester Sitit dhe ata të Ligës 1 Paris San-Zhermen, kanë mashtruar për të shmangur sanksionet e Fair-Play financiar.

Presidenti i FIFA-s Xhani Infantino, ish-presidenti i UEFA-s Mishel Platini dhe ish-presidenti francez Nikolas Sarkozi janë përmendur në raportet e publikuara.

Pronarët nga Katari të PSG-së kanë investuar 1.8 miliardë euro në klub, me ndihmën e Platinisë dhe Infantinos, të cilët kanë mbuluar gjithçka, duke shmangur përjashtimin e PSG-së nga kompeticionet evropiane. Edhe Man Siti ka përfituar nga ndërhyrja e Sarkozisë.

E përditshmja gjermane Der Spiegel ka mbuluar gjerësisht këto raporte, duke publikuar një artikull mjaft të rëndë për Infantinon.

48-vjeçari mori drejtimin e FIFA-s në vitin 2016 me detyrën e qartë për ta pastruar, por në të vërtetë ai ka bërë të kundërtën, bazuar në “mijëra memo të brendshme”. Raporti tregon se si Infantino ka arritur marrëveshje sekrete me Sitin dhe PSG-në në vitin 2014, kur ishte ende sekretar i përgjithshëm i UEFA-s.

Disa nga taktikat e Infantinos për të kaluar pengesat e Fair-Play financiar ishin kontratat e sponsorizimit me shifra tejet të fryra. Pronarët e Mançester Sitit kanë injektuar 2.7 miliardë euro në klub në 7 vitet e fundit nëpërmjet aksionerëve të vet dhe kontratave të sponsorizimit me shifra aspak reale.

Sarkozi ka luajtur rol në blerjen e PSG-së, sepse ai e ka udhëzuar Platininë që t’i jepte Katarit organizimin e Botërorit 2022. “Nikolas Sarkozi i tha Emirit të Katarit Tamim Al-Thani në një takim në 2010 që nëse ai blinte PSG dhe hapte një kanal sportiv në Francë (BeIN Sports), atëherë Katari mund të shpërblehej me Kupën e Botës 2022”, thuhet në raport.

Der Spiegel ka raportuar edhe në lidhje me Superligën Europiane, kompeticion për klubet më të mëdhenj e të pasur, që kanë kohë që bisedojnë në mënyrë të fshehtë, duke përfshirë Bajernin e Mynihut.

Der Spiegel ka paralajmëruar se së shpejti do të dalin raporte të tjerë dhe në një pej tyre do të flitet për një kampion Europe të shmëfishtë që ka rezultuar pozitiv për doping.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.