Të pathënat e Elis Bakajt: Më kanë kërcënuar me ‘sms’ para Vllaznia-Tirana

0

Sulmuesi zbulon Shqipërinë në Bjellorusi, por në të njëjtën kohë tregon se çfarë i shkruanin tifozët para ndeshjes Vllaznia-Tirana, që vlente mbijetesën në Superiore

Elis Bakaj është pjesë e Shaktar Soligorskit në Bjellorusi dhe është përshtatur shpejt. E thotë këtë edhe në një intervistë të fundit të dhënë në shtypin bjellorus. Sulmuesi tregon se kampionati është i fortë, ka shumë ekipe të mira dhe të gjithë dinë të mbrojnë, çka e bën të vështirë të çash përpara. Të shkosh te goli ndodh më së shumti me penallti ose nga kornet dhe ish-lojtari i Kukësit e ka kuptuar më së miri. Tre asistet nuk janë pak, por Bakaj vë përpara rezultatet e ekipit.

KURIOZITETI
Sulmuesi është lojtari i dytë që shqiptar që luan në Bjellorusi dhe në fakt ai nuk e di këtë, ndaj edhe shpreh habinë e tij: “Vërtetë, kush ka qenë i pari?”. Gazetari tregon se ka qenë Julian Gjeloshi, portieri lezhjan që në vitin 2004 është aktivizuar me Torpedo-SKA Mink. “Nuk kam dëgjuar për të. Kur ka luajtur këtu? Rreth 15 vite më parë? Oh, kohë e gjatë”. Elisi atë kohë sapo kishte hedhur hapat e parë në futbollin profesionist, ndërsa Gjeloshi në Shqipëri kish mbrojtur kuadratin e Besëlidhjes, Flamurtarit, Partizanit dhe Vllaznisë, për të vijuar me karrierën jashtë vendit. Në vendin tonë për herë të fundit ka qenë me Laçin për pak ndeshje.

JETA NË BJELLORUSI
Bakajt i pëlqen, kushtet janë të mira. Shpesh e viziton edhe gruaja që jeton në Bukuresht. “Gruaja ime është rumune dhe vjen këtu herë pas here. Nuk mund të zhvendoset këtu pasi ka një biznes në vendlindje”, thotë mes të tjerash Elisi, që tregon se kohën e lirë e kalon duke dalë me shokët e skuadrës me raste. I pëlqen Minsk: “Kryeqyteti është i bukur. Mund të shkosh në restorante, të shëtitësh në park”. Komunikimi është i rëndësishëm, por flet në anglisht: “Fëmijët e vegjël këtu e njohin mirë gjuhën angleze, edhe trajneri Adel Sassi, që flet dija gjuhë. Ai më ndihmon me komunikimin. E kuptoj pak rusishten”, shton futbollisti, që në qershor mbush 31 vjeç.

Për Bakajn, Ukraina ngjan me Bjellorusinë. “Atje është i njëjti mentalitet që kanë njerëzit këtu. Në Shqipëri, Kroaci, Rumani, është ndryshe. Njerëzit duan shumë të flasin atje, nuk ndalojnë së foluri. Bjellorusët janë më të rezervuar. Mendoj se juve ju pëlqen të qëndroni vetëm, por kjo është krejtësisht normale. Në të gjitha vendet ku kam luajtur, Ukraina ka qenë vendi më i mirë. Më pas nisën problemet dhe u largova. E ndjek akoma kampionatin atje, kam shumë miq. Sa kam kuptuar, jeta atje është rregulluar tani”, shprehet Bakaj.

LËVIZJET DHE SHARJET
“Çdo lojtar ka një situatë kur dëshiron të ndryshojë diçka. Përveç kësaj, futbolli është biznes. Shpesh shkoj diku, sepse klubi dëshiron të më blejë mua dhe është gati të paguajë paratë”, thotë Bakaj, që tregon edhe se si shpesh herë në Shqipëri e ofendonin. “E thashë, njerëzve u pëlqen të flasin në Ballkan”. Ndonjëherë, përgjatë ndeshjeve, tifozët nisin të ofendojnë lojtarët. Jo vetëm mua, edhe të tjerët”, deklaron sulmuesi.

KËRCËNIMI
Bakaj u pyet edhe në lidhje me faktin që kishte refuzuar të luante në ndeshjen kundër Tiranës, që luhej për mbijetesën. Atë takim ai nuk zbriti në fushë me Vllazninë, ndërkohë që zbulon diçka: “Ata nisën të më shkruanin mua. “Dërgonin thirrje me kërcënime: “Ata thoshin, nëse unë luaj në këtë ndeshje, atëherë është më mirë mos të shkoj në Tiranë”, Dhe ky është qyteti im i lindjes, atje është shtëpia ime. Nga ana tjetër, pronari i Vllaznisë këmbënguli që të merrja pjesë në ndeshje. Por unë fola me trajnerin dhe e binda atë që është më mirë pa mua. Kjo ishte situata: të dyja ekipet luftonin për mbijetesën dhe unë do të bëhesha keq nga çdo rezultat. Pastaj e lashë Vllazninë dhe firmosa me Kukësin, që ishte shpallur kampion në Shqipëri. Luajta atje para se të vija në Bjellorusi”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.