Të pathënat e Ardian Memës: Akuza për racizëm, lojtarët me motorë të fikur dhe pasioni për Tiranën

0

Ardian Mema është prej gati tre muajsh trajner i Tiranës. Rikthimi në klubin e zemrës, tanimë me “tutat” e trajnerit, nuk ka qenë dhe aq i lehtë për ish-mesfushorin e bardhebluve. Në një intervistë të gjatë për “RTSH Sport”, Mema zbulon disa detaje mbi eksperiencën e tij në krye të bankinës së 24 herë kampionëve të vendit.

PASIONI PËR TIRANËN – “Unë vij nga një familje autoktone. Në familjen tonë e kemi pasur edhe si punë trashëgimie, duke filluar nga xhaxhai im Haxhi Arbana (Mema), e duke mbaruar tek unë. Pasioni nuk mund të diskutohet, pasi unë jam rritur me Tiranën. Mua më merrte babai i vogël për dore në stadium dhe i njoh futbollistët që në një moshë shumë të vogël”.

(Mema, poshtë, i dytë nga e djathta)

MEMA SI TRAJNER – “E fillova si trajneri i kombëtares U17, ku punova për dy vite. Më pas kalova si një drejtor i një akademia, ndërsa pata dhe një eksperiencë punë në një ekip U23 në Arabinë Saudite. Më pas mu bë një ftesë nga miku im Ilir Daja, dhe shkova si asistent te Skënderbeu e më pas të Flamurtari, për një vit e gjysmë”.

TIRANA E DIKURSHME – “Kohët ndryshojnë. Ne në radhë të parë kemi pasur pasionin. Nuk e kemi menduar kurrë për shembull faktin se futbollisti do e lërë një ditë sportin e duhej të sigurojë të ardhura të tjera. Kohët kanë ndryshuar shumë. Pasioni është ende aty, por jetojmë një jetë shumë më të hapur sot me Internetin dhe “Facebook”-un. I them shpesh dhe moshave se duhet të përqendrohen më shumë te futbolli”.

DITA E PARË TE TIRANA – “Të them të drejtën atë ditë jam zhgënjyer, pasi kam parë lojtarë që qeshnin ose siç i themi ndryshe me “motorë të fikur”, por me kalimin e kohës, gjërat ndryshuan. Unë kam filozofinë time të punës dhe e dija mirë se do të ndodhte përshtatja mes meje dhe lojtarëve dhe anasjelltas. Më pas lojtarët filluan të jenë më shumë kërkues brenda vetes.

“Te Tirana kam shkuar në një moment emergjence. Nëse do të kisha mundësinë të shkoja te Tirana në periudhën e verës, ku do të kisha mundësi për të ndërhyrë në merkato dhe për të punuar me ekipin.

ECURIA – “Mu desh pak kohë për të siguruar fitoren e parë. Bënin gabim në të dy portat, falnim te porta e kundërshtarit, falnim edhe te porta jonë. Kjo ka qenë një ndër momentet më të vështira, e mendova largimin, pasi s’po më ecte. Në një moment të thashë mos jam unë e keqja. Ka shumë ndeshej që ia kemi dhuruar kundërshtarit”.

PËRPLASJA ME NGO – “Nuk e kam thënë më parë këtë. Kisha rreth katër ditë te Tirana dhe u paragjykova. Ngo u shpreh se unë jam racist, dhe Egboja i tha se shoku i tij më i ngushtë në këto 17 vite në Shqipëri isha unë.  Nuk e kuptova këtë pjesë. Ai nuk më shikonte me një sy të mirë, por me katër ditë nuk mund ta paragjykosh dikë. Në një moment, pati një lojë të fortë mes lojtarëve dhe i thashë : Majkëll pse po godet me shkelma! Më është kthyer dhe në atë moment më tha diçka në anglisht,që nuk po e them dot këtu. Ai ka qenë momenti që e kam larguar pa fat”.

PAQJA MES PALËVE – “Majkëll ka reaguar më pas dhe është treguar burrë me mua.  Mbas një analize me ekipin biseduam diçka bashkë dhe ai më dha se i ka lënë pas ato probleme. I thashë se jemi të gjithë këtu për të mirën e klubit.  Në dy ndeshjet e fundit nuk e kam futur për shkak të një probleme me gjurin, një çështje kjo që duhet të merren terapistët. Ai e ka vërtetuar se e meriton të luajë”.

GENTJAN MUÇA – “Genti (Muça) edhe pse është nuk është akoma në fushë është një faktor i rëndësishëm i skuadrës. Ai nuk është ende gati për të luajtur dhe këtë ai e di, sepse me mua ka biseduar si shok. Shpresoj që të kthehet, pasi ka kaluar një traumë. Rikthim këtë sezon? Të them të drejtën i duhet pak kohë, që të rikthehet si duhet”.

TIRONA FANATICS – “Kur kam parë për herë të parë “Tirona Fanatics” e kisha lënë sportin dhe  kam pasur një lloj nostalgjie, pasi thosha, po t’i kishim pasur dhe ne në kohën tonë këtë lloj tifozerie. Le të themi do të kishim qenë njerëzit më të lumtur në botë, pasi në shumicën e ndeshjeve fitonim. Më kanë emocionuar me dekorin që kanë përgatitur në disa ndeshje. Unë i bëj një ftesë që t’i bashkëngjiten prapë ekipit. Tifozët duhet ta ndjekin Tiranën edhe në momentet e vështira. Shpresoj dhe besoj se në ditët në vazhdim do të kemi ngjarje të reja te Tirana.  Jam sensibël për këto ngjarje, pasi mund të vijnë donator të tjerë te Tirana dhe gjërat mund të ndryshojnë. Gjithsesi i bëj ftesë tifozëve që të vijnë të përkrahin ekipin”

SHPRESA E TIRANËS TE DONATORËT ? – “Jo, nuk mund ta them këtë. Shpresat janë te lojtarët dhe te puna që ne do të bëjmë. Tirana pasur vazhdimisht donatorë e presidentë. Gjërat do të ndryshojnë te Tirana është e sigurt, pasi Tirana është gjë tjetër. Të gjithë e lakmojnë dhe të gjithë duan që Tirana të rikthehet siç ka qenë te fitoret”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.