Të paprekshmit e Milanit, nga Bonuçi te Çalhanoglu

Kapiteni do të qëndrojë pa diskutim. Romanjoli e Kutrone shumë pranë rinovimit. Çalhanoglu është një garanci. Konti, Kesi e Bilia në ngjitje. Milani ka krijuar bazat për sezonin e ri

Milani ka nisur të programojë sezonin e ri, ndonëse kanë mbetur dhe 90 minuta nga fundi i sezonit. Kuqezinjtë do të kërkojnë të fitojnë ndaj Fiorentinës dhe më pas të gjithë me pushime, për t’i lënë më pas fushën drejtorit Mirabeli dhe administratorit Fasone. Tashmë që sezoni i drejtohet fundit, detyra zhvendoset nga skuadra tek drejtuesit, të cilët duhet të mndiojnë për të rregulluar diçka, në mënyrë që në sezonin e ardhshëm Milani të synojë një vend në Champions e jo të luftojë deri në fund për një vend në Ligën e Evropës siç po ndodh aktualisht. Gjithsesi, cilido qoftë verdikti i sezonit, Milani i sezonit 2018-2019 nuk do të nisë nga zero. Këtë e ka nënvizuar Mirabeli teksa ka thënë: “Baza e ekipit për sezonin e ri është hedhur.” Milani ka nevojë për ndërhyrje, por më shumë për riparime se sa ndryshime strukturore në ekip.

Romanjoli rinovon – Sigurisht që Mirabeli-Fasone-Gatuzo kanë bërë një analizë paraprake dhe e dinë fare mirë se ku duhet ndërhyrë. Në radhë të parë kërkohet një sulmues i mirëfilltë, një zëvendësues i mundshëm për Suson dhe një gjysmësulmues. Portier? Për momentin nuk ka nevojë sepse atje është Donaruma. Por edhe nëse Xhixho largohet, kuqezinjtë janë të mbuluar me Pepe Reinën. Mbrojta duket një prej reparteve më të stabilizuar të Milanit dhe me shumë gjasa dhe në sezonin e ri do të shohim katërshen aktuale. Dyshja e qendrës me Bonuçin e Romanjolin është e padiskutueshme. Ata kanë formuar një dyshe nga më të mirat në Serinë A. Për Leonardo Bonuçin ka pasur një interes në rritje nga gjigantët anglezë, por tek Milani nuk e mendojnë largimin e kapitenit. Edhe Romanjoli kërkohet me ngulm nga Juventusi, por mbrojtësi tjetër i qendrës pritet të rinovojë me kuqezinjtë, ndonëse ka një kontratë me Milanin deri në vitin 2020. Pa harruar se ndër shtyllat e Milanit në sezonin e ri është dhe Konti. Të konfirmuar janë dhe Rodrigez e Kalabria.

Krahu – Milanit i duhet një tjetër Lukas Bilia. Këtë e ka thënë dhe vetë trajneri Gatuzo, i cii ka kërkuar “dhjetë të tillë” në ekip nëse do të ishte e mundur. Argjentinasi është një shembull i profesionalizmit, një lojtar që nuk ka vetëm kilometra nën këmbë, por ka dhe logjikë e ekuilibër në fushë. pa dyshim dhe ai bën pjesë te grupi im të paprekshmëve për sezonin e ri. Po ashtu dhe Kesi. Edhe pse disi më ndryshe nga Bilia, me moshën mjaft të re (21 vjeç) ai ofron freski, peshë të madhe fizike në mesfushë por dhe depërtimet e një lojtari gjysmë krahu. Milanit i duhet një tjetër lojtar jo tipik krahu, por që shpesh shkon drejt qendrës, ç’ka do t’i jepte mundësi Gatuzos të qëndronte i qetë kur të kthente kokën nga stoli. Por ky lojtar mund të zërë dhe vendin e Bonaventurës nëse ky i fundit do të largohet drejt Juventusit. Emrat dhe kostot në radhë të parë do të përcaktohet nga vendi që do të zërë Milani në këtë sezon. Këtu nuk duhet harruar as UEFA dhe ndonjë penalizim nga fair play financiar.

Sulmi përparësi – Tek Milani janë të qartë se nuk do të ketë një fushatë të ngjashme blerjesh si verën e kaluar. Kjo pasi Milani i ka krijuar bazat për sezonin e ri. Shpenzimi më i madh pritet për një sulmues. I vetmi lojtar i Milanit që garanton cilësi e stabilitet është Hakan Çalhanoglu. Turku e ka nisur aventurën e tij tek Milani si një objekt misterioz, por me Gatuzon ai ka shpërthyer, duke marrë kuqezinjtë për dore. Do të jetë pa diskutim ai numri 10 i Milanit të së ardhmes. Kaliniç dhe Andre Silva shumë shpejt pritet të mësojnë të ardhmen e tyre. Kutrone jo: ai do të rinovojë deri në vitin 2023 në fund të kampionatit.

Suso një pikëpyetje – Shumë pikëpyetje rrethojnë të ardhmen e një tjetër elementi të spikatur tek Milani, Suso. Gjithçka varet nga klauzola e tij e largimit që llogaritet në 40 milionë euro. Nëse dikush do të trokasë në derën e Milanit me këtë shumë në xhep, atëherë kuqezinjtë nuk mund të bëjnë asgjë dhe do t’i falen vullnetit të spanjollit. Për momentin Milani është në pritje të verdiktit përfundimtar të sezonit. Më tej gjithçka do të jetë më e qartë,. Gatuzo e ka deklaruar qartë: “Me 2-3 lojtarë mund të jemi shumë konkurrues.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *