Të paprekshmit e De Biazit, ja ata me bilete…

0

 

Nga porta në sulm, emrat që duhen regjistruar në listën UEFA për Europianin, që do të nisë më 10 qershor, janë vetëm 23 dhe dy në pritje, deri në ditët e fundit. Me modulin e konfirmuar, zgjedhjet bëhen gati “të detyruara”

 

Speciale  nga Anton Cicani

Me kualifikimin historik të kombëtares së Shqipërisë në Europianin e futbollit Francë 2016, tashmë hapi i dytë i Xhani de Biazit, në gjithë këtë zhurmë mediatike dhe thumbimet në distancë për një rinovim që është temë post qershorit të ardhëshëm, tashmë vëmendja është tek grupi i futbollistëve që do të nisen për këtë udhëtim magjik… Janë vetëm 23 vende, pra bileta për në Francë dhe deri në datën 10 qershor 2016, kur do të startojë edhe kompeticioni, gjithçka duhet të jetë zgjidhur. Ka shumë muaj përpara, e vërtetë, por a ka kjo kombëtare futbollistë të paprekshëm dhe të domosdoshëm?! Sigurisht që pod he madje janë të shumtë. Edhe presidenti i federatës shqiptare të futbollit, Armando Duka, i pyetur mbi këtë temë, ka dashur të driblojë duke ia lënë topin në dorë trajnerit, por sigurisht duke shtuar se do të ketë edhe hatërmbetje siç është edhe normale, por që tekniku do të dijë të zgjedhë më të mirët, duke i monitoruar me kujdes. E megjithatë,boshti do të jetë dhe ai është i përbërë nga disa lojtarë që jo vetëm i kanë dhënë mundësi kësaj kombëtare të hedhë hapin cilësor, por që edhe janë sakrifikuar për të, duke luajtur edhe jo në formën më të mirë, sakrifikuar dhe rrezikuar madje edhe dëmtime të gjata. Po flasim për ata, “të paprekshmit”,teksa të tjerët mund të jenë në një farë “big brother” që De Biazi dhe Tramexani do të dijnë të seleksionojnë sipas mënyrës se si do të sillen në klubet e tyre.  Trajneri Italian, megjithatë, do të preferonte që të vihej në vështirësi nga shumë elementë që mund të jenë larguar nga vëmendja e kombëtares, apo resurse të reja, por edhe zbulime. E megjithtaë, miqësoret që do të zhvillohen gjithë këto muaj në vazhdim, që mund të jenë gjithësej rreth 6 të tilla, mund të shërbejnë për të kuptuar më shumë dhe vënë në provë cilindo. Sigurisht, gjithçka konfirmohet në bazë të modulit, që trajneri Italian s’ka ndër mend që të ndërrojë, pasi ka dhënë rezultatet që të gjithë njohim. Pra, 4-4-1-1, që shpesh mund të kthehet në një 4-5-1 dhe në një 4-3-2-1, pra duke variuar sipas kundërshtarit dhe momentit, është skema ideale.

berisha

Porta – Deri më sot, reparti më i sigurtë dhe ai ku mëdyshjet janë thuajse të barabarta me zero. Etrit Berisha është dhe do të jetë titullari i portës së Shqipërisë, qoftë edhe nëse, metaforikisht, do të duhet të luajë me një këmbë. Prishtinasi ka ofruar paraqitje super dhe shpëtuar rezultatin në shumë raste. Siguri, garanci dhe shumë qetësi për repartin e mbrojtjes. “Titi”, edhe pse tek Lacio aktivizohet  me luhatje, në kombëtare është një lider që në këtë moshë. Pas tij, Alban Hoxha, gardiani i Partizanit. Hoxha, pas disa shpërqëndrimesh dhe vështirësisë në fund të sezonit të shkuar, këtë kampionat e ka nisur më së miri dhe s’ka bërë asnjë gabim individual. Por, ai që ofron eksperiencë është Orges Shehi, i cili Europianin e ka qershinë mbi tortë të karrierës së tij. Praktikisht, të tre portierët do të jenë këto, vetëm në rast të ndonjë dëmtimi apo diçkaje të ngjashme (duke kryqëzuar gishtat që asgjë mos të ndodhë).

mavraj

Mbrojtja –Ashtu si në portë, edhe reparti i prapavijës ka më shumë se një siguri. Në qendër të mbrojtjes, përtej çdo surprize, duhet të jenë Mërgim Mavraj dhe Lorik Cana, që kanë formuar një dyshe vërtet të frikshme. Kohët e fundit u dëgjua që edhe pa Mavrajn mbrojtja kishte funksionuar, por rezultatet kanë hedhur poshtë këto aludime. Mbrojtësi i Këlnit padiskutim është ai që me Canën ka një simbiozë perfekte dhe plotësojnë njëri-tjetrin. Aktualisht, zëvendësi i Mavrajt padiskutim që është Berat Xhimshiti, mbrojtësi i ri i Zyrihut që ka befasuar me paraqitjet e tij dhe që ka mundësi vetëm të rritet. Sakaq, duhet parë situata e Arlind Ajetit, që është i vetmi që ka mbetur pa skuadër dhe shumë shpejt duhet ta zgjidhë këtë pikëpyetje, sepse rrezikon jo pak vendin dhe Francën. Ekziston edhe alternativa tjetër, Amir Rrahmani, por që duhet të tregojë veten në hapësirat që do ti jepen duke nisur që nga miqësoret e nëntorit. Mbrojtësi i RNK Split, në Kroaci, është dalluar për paraqitjet e tij dhe De Biazi është mjaft i kënaqur. Dueli i tij është pikërisht me Arlind Ajetin, në këtë kuadër, duke qenë se Xhimshiti është mbrojtës polivalent dhe mund të luajë edhe në krah të djathtë, siç edhe e tregoi ndaj Portugalisë, ku nuk kishte një klient të lehtë, por Kristiano Ronaldon. Nga qendra tek krahët, aty ku Elseid Hysaj është padiskutim lojtari më i fortë, ai që në raport moshë-cilësi befason të gjithë. Vetëm 21-vjeç dhe me mundësi që të hedhë hapa prje gjiganti në  të ardhmen. Madje, kampionati me Napolin do ta bëjë edhe më të formuar fizikisht dhe teknikisht, duke punuar me një mjeshtër si Mauricio Sarri, që këmbënguli për ta pasur nën Vezuv. Në anën tjetër, “adoleshenti” Agolli. Mos u gënjeni nga mosha, sepse Ansi është padiskutim nga ato futbollistë që në fushë është i palodhur, gjithmonë i gatshëm të sakrifikojë mes sulmit dhe mbrojtjes dhe ka shansin e artë të karrierës në Francë. De Biazi është i dashuruar pas tij dhe nuk do ta zëvendësonte me asgjë tjetër. Zëvendësi i tij, padiskutim, Naser Aliji, që në Armeni dha vetëm një pjesë të repertorit të tij. Tepër i ri, vetëm 21-vjeç, gjatë këtij sezoni tek Bazel do të mësojë më shumë akoma. Në të djathtë, naturali është Andi Lila, mbrojtësi i Pas Janinës, që duhet ende të marrë veten dhe të kthehet në nivelet që të gjithë njohim. Por, me karakterin e Andit, që ka pasur edhe fat të keq me dëmtimet dhe karrierën në klube, ai mund tia dalë.

xhaka

Mesfusha – Jemi në repartin “e bollshëm”, aty ku edhe një fletore s’do ti dilte De Biazit për të bërë llogaritë, edhe pse në kokën e tij ata që nuk mund të lihen kurrësesi në shtëpi janë Burim Kukeli, Migjen Basha, Taulant Xhaka, Ermir Lenjani dhe njëri mes Abrashit dhe Ledian Memushajt. Në fakt, për ironi të fatit, të dy luajnë në ligat e dyta, njëri në Bundesligën e dytë dhe tjetri në Serinë B. Praktikisht, do të shihet gjatë sezonit se kush do të mbërrijë më në formë. Sigurisht, nëse vlonjati siguron më shumë teknikë dhe gjeometri, lojtari i Fraiburgut është më dinamik, fizik dhe preferon që të shfrytëzojë edhe hapësirat që krijohen në sulm, pa harruar mbështetjen në mbrojtje. Por, ku të lësh Ergys Kaçen, mesfushorin e PAOK dhe atë që presidenti i këtij klubi e sheh pak më poshtë se Iniesta. Përtej këtyre krahasimeve shpesh të ekzagjeruara, Kaçe duhet ende të rritet, sigurisht, por në një ndeshje të caktuar bën dallimin. Deri tani, ka dhënë vetëm 50% me kombëtaren. Sakaq, në krah është Odise Roshi, rraketa nga Fieri që mund të ishte bërë sot një futbollist i rëndësishëm  në një klub të madh, por që në mënyrë misterioze nuk dihet pse është ende në nivele të mesme dhe luan tek Rijeka, në Kroaci (me gjithë respektin për Rijekën). Potenciali që Këln pa tek lojtari kur e bleu në moshë krejt të re dhe që sapo kishte shpërthyer tek Flamurtari nuk është një gënjeshtër. Por, mosha është në favor të tij ende. Për De Biazin është resurs, ashtu si për kombëtaren. Në Armeni pamë një pjesë të asaj që është i aftë të bëjë. Në Francë ka treguar se mund të bëjë gjëra të mëdha, ndoshta ambjenti aty ndikon pozitivisht… Përtej konfirmimit të Lenjanit, duhet thënë se kriza që po kalon Shkëlzen Gashi është ajo që ngre disa pikëpyetje: lojtari aktivizohet tek kombëtarja, por jo shumë tek Bazeli dhe spostimet në role të ndryshme bëjnë që ai të mos ketë një vend fiks. Në janar mund të ketë edhe një transferim në një kampionat tjetër, teksa shpresa është që Souza ta marrë tek Fiorentina, pse jo, për ta rikthyer në nivelet e “vrasësit” që në tre sezonet e fundit në Zvicër ka shënuar më shumë se 40 gola. Janë edhe dy emra të tjerë, Alban Meha dhe Valdet Rama, të cilët humbën disi nga vëmendja, me lojtarin e Konyasporit që u rikthye në kombëtare. Sa i përket Ramës, vështirësitë që të rikthehet janë të mëdha. Ai duhet ta tregojë me vepra dhe nëse dëmtimet do ta lënë, atëherë mund të ketë shanse, por ka një handicap të madh: nuk di të mbrojë. Dhe nëse Murinjo ka ulur në stol një si Hazard sepse “s’di të mbrojë”, mos mendoni se De Biazi do të bënte ndryshe?! Një mister që mund të zgjidhet. Rama, sigurisht, ka cilësi që i duhen kësaj kombëtare, si paparashikueshmëria, por vetëm kaq nuk mjafton. Ai mund të ndizet dhe fiket shumë shpejt dhe luhatje të tilla në një Europian ku luan vetëm tre ndeshje s’janë të lejuara. Sa i përket Mehës, të gjithë e dimë se në goditjet e dënimit është një mjeshtër dhe ndoshta ndër më të mirët në Europë për mënyrën se si e godet topin. Por, a mjafton kaq?! Duhet më shumë për të fituar të drejtën për Francë dhe konkurrenca është shumë e madhe. Futbollisti tjetër që është në listë pritje, ashtu si Rrahmani, Herolind Shala. Djaloshi i lindur në Norvegji dhe që luan me Slovan Liberec ende s’ka pasur shanset e tij dhe miqësoret në vazhdim do të thonë shumë për të. Talenti sí mungon, duhet ta tregojë këtë gjë në fushë. Aktualisht, kandidatë të tjerë në mesfushë janë me pikatore, duke përjashtuar kampionatin shqiptar, aty ku italiani e ka të vështirë “të peshkojë”. Eshtë Bulku, sigurisht, por fubollisti i Tiranës në një listë me vetëm 23 e ka thuajse të pamundur të përfshihet.

balaj

Sulmi – Dy të paprekshmit janë Bekim Balaj dhe Sokol Cikalleshi. Njëri ka dhënë pikë të rëndësishme, tjetri garanci dhe siguri, madje edhe vazhdimësi. Po të mos ishte për shtyllat dhe pritjet e shkëlqyera të portierëve, për të do të ishin të paktën edhe 3 gola në këto eliminatore. Por, nëse shkodrani po luan me vazhdimësi, kavajasi po kalon moment “jo” dhe disa herë ka shkuar në stol me Basaksehir, skuadër që ndodhet në vendet poshtë të renditjes. Armando Sadiku është sulmuesi i të ardhmes, sepse forca fizike, dinamika dhe teknika që ka janë për tú admiruar, teksa s’duhet harruar që tek Zyrihu ende sí kanë dhënë hapësirat që meriton.  Pas kësaj treshe, Hamdi Salihi, veteran i golit, ai lojtar që shërben për dhomat e zhveshjes dhe më shumë se kaq, por që mosha dhe dëmtimet bëjnë që të mos jetë më në maksimum dhe i ri si dikur. Pikërisht duke u nisur nga kjo, mund të ketë një risi: në monitorim është ai, Rej Manaj, sulmuesi i Interit dhe i U-21. Por, kujdes: nëse me Viteshen Milot Rashica vazhdon në nivelet që po tregon, ndoshta do ta shohim në ndonjë miqësore. Vështirë që De Biazi të marrë nga U-21 në Europian, por ndonjë mundësi të tregojnë veten do tía japë. Ashtu si edhe Albian Ajetit, edhe pse ky rast duket më shumë publicitet se sa nevojë e trajnerit.

3

Janë futbollistët që në këto eliminatore të Francë 2016 kanë luajtur më shumë se 700 minuta dhe janë Etrit Berisha, Lorik Cana dhe Taulant Xhaka. Portieri dhe mbrojtësi kanë të dy nga 720  minuta, teksa lojtari i Bazelit 712 minuta

21

Minuta

Është aktivizuar Hamdi Salihi në këto eliminatore dhe është futbollisti që ka luajtur më pak, edhe pse deri në ndeshjen në Armeni, ishte Naser Aliji nga ata që janë grumbulluar vazhdimisht. Shtatë ndeshje ka qëndruar në stol Salihi

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image