Të pamposhturit e Devollit: Mbështetje amerikane, Nica dhe një ëndërr

0

Në Kategorinë e Dytë, këtë sezon gara duket mjaft e ashpër në Grupin B. Në luftë janë plot tre ekipe për ngjitjen në Kategorinë e Parë. Shkumbini për momentin është në krye në kuotën e 35 pikëve, ndërsa Maliqi e Devolli ndjekin me vetëm një pikë më pak.

Pikërisht, skuadra e Devollit është një ndër ekipet që po bën mjaft mirë këtë sezon dhe për momentin janë të vetmit që nuk e njohin humbjen pas 14 ndeshjesh të luajtura. Përveçse kontingjentit të mirë, faktor për ecurinë e tyre kanë qenë edhe mbështetja financiare që kanë dhënë drejtuesit. Kryetari i Bashkisë, si dhe dy donatorët, Edmond Haxhi e Gëzim Xhaçi, kanë krijuar kushtet më të mira për ekipin e tyre. Jo vetëm kaq, por kanë marrë edhe një trajner të njohur si Stavri Nica.

Mbështetja vjen dhe nga Amerika e largët, ku shoqata e devollinjve jep kontributin e saj për skuadrën e qytetit, ndonëse këta të fundit kanë shumë vite larg Shqipërisë. Devolli ka një infrastrukturë të admirueshme jo vetëm për Kategorinë e Dytë. Stadiumi i përmbush kriteret, ndërkohë që edhe kushtet e fushës me tapet me bar natyral favorizon paraqitjet e mira.

Ekipi jugor synon që të fitojë garën me Maliqin e Shkumbinin për të vijuar ngjitjen në Kategorinë e Parë. Zgjedhja e Nicës si trajner është edhe një tregues i objektivave, por ëndërrohet edhe më shumë: Superiorja. Gjithsesi shkallët duhen ngjitur një e nga një dhe fillimisht malorja e Kategorisë së Dytë është përballë Devollit. Nisja është e mirë…

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.