“Të lutemi mos na marrin mësysh”, Rama sërish me ironi për Kombëtaren: Mos të luajmë më mirë se rivali dhe të hamë golat në fund

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte i pranishëm në emisionin “Open” që transmetohet në “Top Channel”. Vendi ynë po e përballon mirë situatën me COVID-19 në këtë javë të parë të hapjes së tij në territorin tonë, krahasuar me rastet e tjera në Europë.

Ndërkohë Rama nuk i ka kursyer edhe njëherë ironitë me Kombëtaren, duke e marrë si shembull për një humbje e cila vjen gjithmonë në minutat e fundit, pavarësisht se luajmë me mirë se kundërshtari. “Ne tani lutemi të mos na marrin mësysh, të vazhdojmë kështu siç jemi, se Shqipëria do futet në histori. Mos ta bëjmë si me Kombëtaren, që luan më mirë se kundërshtari në pjesën e parë, e mban mirë veten dhe lojën në gjysmën e pjesës së dytë, por mbyllet në portë dhe pëson golat në fund”.

Por nga ana tjetër, është po kjo Kombëtare e cila “i ha golat” në fund që na dërgoi në Europianin e Francës, në një krenari të madhe shqiptare, ku çdo politikan nuk ngurroi të merrte nga një pjesë “torte” të suksesit. E kur përfunduam në periudhën e krizës së Panuçit, askush prej tyre nuk ishte më aty aq dashamirës për këto ngjyra, madje duke u ironizuar shpeshherë djemtë tanë, për mos përsëritjen e një suksesi si në Francë, që mbetet sërish jashtë fuqisë të një vendi të vogël në të gjitha aspektet. /Sport Ekspres/