Te Laçi mendojnë Kukësin, rikthehet kapiteni Selmani

0

Kapiteni i bardhezinjve është rikthyer nga Italia dhe ka nisur stërvitjen, por mbetet për t’u parë nëse do jetë plotësisht gati për ndeshjen me verilindorët

Humbja me Luftëtarin ishte e treta radhazi për skuadrën e Laçit që tashmë bie në vendin e 5-të në klasifikim me 42 pikë, vetëm 2 pikë më pak se gjirokastritët. Kurbinasit janë aty sërish për një vend në Kupat e Europës, por njëkohësisht garojnë edhe në Kupë, çka do të thotë se kanë dy rrugë për ta kërkuar biletën europiane. Trajneri Gentian Mezani e ka veçuar shpesh se objektivi i skuadrës së tij është Kupa e Shqipërisë. Bardhezinjtë duhet ta hedhin sa më parë pas krahëve momentin e keq që po kalojnë në kampionat dhe të fokusohen plotësisht në kompeticionin e dytë për nga rëndësia në vend, ku do të luajnë kualifikimin për në finale në 90-minutëshin që do zhvillojnë të mërkurën në “Zeqir Ymeri”. Rezultati 0-0 në ndeshjen e parë ka lënë të hapur kualifikimin, por nuk do të jetë aspak e thjeshtë, duke parë që Kukësi është në një moment shumë të mirë. Gjithsesi, skuadra duhet të bëjë një ndeshje perfekte në Kukës, ku dhe me një barazim me gola do të vlente kualifikimin për në finale. Duhet përmendur se katër sezone më parë Laçi e ka mundur po në gjysmëfinale Kukësin dhe do tentojë që ta bëjë këtë gjë sërish.

SELMANI

Dje, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në “Instagram” kapiteni i Laçit, Gentian Selmani, ka njoftuar se është rikthyer në Shqipëri dhe ka nisur stërvitjen me skuadrën. Një lajm mjaft i mirë ky për teknikun Mezani që sheh të bashkohet me ekipin një nga lojtarët kyç të skuadrës. Pavarësisht kësaj ende nuk dihet me saktësi nëse 20-vjeçari do të jetë plotësisht gati për ndeshjen e së mërkurës, pasi sapo ka ardhur nga faza e rikuperimit. Kujtojmë që “gardiani” i kurbinasve nuk aktivizohet që nga ndeshja me Kamzën dhe ka qenë në Itali, saktësisht te qendra mjekësore e Juventusit për rikuperim. Rikthimi i tij mes katër shtyllave do të jepte garanci në prapavijë për bardhezinjtë, që besojnë se do mundin të befasojnë në Kukës. Selmani ka luajtur në 27 takime këtë sezon në Kupë dhe kampionat, duke qenë një nga lojtarët që ka më shumë minuta. Do të jetë stafi mjekësor dhe ai teknik që do e thonë fjalën e fundit, nëse do të jetë Selmani në fushën e lojës të mërkurën apo do të vijojë Vata të mbrojë kuadratin edhe në këtë takim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here