Të jesh i diplomuar për të luajtur me Monzën, Berluskoni dhe kushtet e tij të çuditshme

Edhe pse u largua nga drejtimi i Milanit, Silvio Berluskoni nuk hoqi dorë nga bota e futbollit, teksa tani ka në zotërimin e tij klubin italian të Monzës. Plani është i thjeshtë, ngjitja e ekipit gradualisht drejt elitës italiane. Momentalisht klubi i Monzës udhëheq në grupin A të Serisë C italiane, duke qenë kështu në rrugën e duhur për kalimin në Serinë B.

Por kjo skuadër ka dhe një diçka të veçantë në të dhe këto janë kushtet që Berluskoni ka vendosur për lojtarët që janë pjesë e ekipit. Kështu ish-presidenti i Milanit kërkon që futbollistët të jenë pa mjekër, pa tatuazhe dhe të sjellshëm, mundësisht të jenë të pajisur edhe me një diplomë. Shkolla dhe futbolli nuk kanë shkuar edhe aq mirë me njëra-tjetrën, por me sa duket Berluskoni nuk është i këtij mendimi.

“Ajo që unë dhe Galiani dëshirojmë është një ekip me italianë të rinj, madje me shumë mundësi të kenë edhe diplomë. Futbollistët e Monzës duhet që të hyjnë në fushën e lojës pa mjekër, pa tatuazhe dhe të jenë të krehur. Duhet të kenë një marrëdhënie të mirë dhe të jenë të sjellshëm me këdo, duke përfshirë këtu arbitrat, publikun apo edhe kundërshtarët”, është shprehur Silvio Berluskoni./Sport Ekspres/