“Të iki te Tirana? Një burrë nuk e bën këtë”! “Ushtar Telushi” rrëfehet pa dorashka: Nuk na e shkulën veshin për derbin

Nga Klaudio Ndreca

“Ushtar Telushi” është lojtari i parë që përgjigjet te Partizani, për sukseset dhe dështimet e skuadrës. Kur ekipi ndodhet në formë të mirë, meritat i shkojnë fillimisht këtij mesfushori, për t’u ndarë edhe me pjesën tjetër të skuadrës. Ndërsa në këtë sezon zhgënjyes për të kuqtë, është po Telushi që ka dhënë përgjigje i pari para mediave dhe tifozëve.

Këtë herë lojtari i Partizanit u premton tifozëve besnikëri, se nuk do ta shohin kurrë në anën tjetër të qytetit. Të paktën këtë gjë refuzon që ta bëjë menjëherë, për t’u veshur nga i kuq në blu, pasi siç e thotë edhe vetë, nuk i ka hije një burri që të bëj këtë veprim. Në intervistën e dhënë për “Fax Sport”, Telushi ka prekur edhe derbin e fundit të humbur me Tiranën në shifrat 5-1, ku askush nuk ka ardhur nga drejtuesit në dhomat e zhveshjes pas atij takimi për “t’u shkulur veshin”.

“Na mungon fusha e blertë, sepse nuk mund të rrimë dot pa ndeshjet, nuk mund të qendrojmë dot pa stërvitjet, pa shokët dhe pa ato humoret tona. Tani komunikojmë online dhe bëjmë ndonjë shaka aty, e pyesim njëri-tjetrin dhe dua të them që kur stërvitesh vetëm për një lojtar është shumë më ndryshe se në grup, se ndihesh si keq. Trajneri Sormani na ndjek në këtë stërvitje online dhe shpeshherë bën ndonjë batutë. Po bën një punë vërtet të mirë dhe interesohet për gjendjen tonë.

Humbja në derbi 5-1 ndaj Tiranës? Ajo ka qenë goxha e rëndë për ne dhe ne vetë nuk ndihemi mirë pas asaj ndeshje. Gjithsesi kjo i përket të kaluarës dhe ky pushim na ka bërë mirë për ta harruar. Te ne nuk futet brenda dhomave të zhveshjes presidenti dhe as drejtori, që të na shkulë veshin qoftë për humbjen ndaj Tiranës apo për ndonjë ndeshje tjetër.

Arbitrat na kanë bërë dëm shumë në disa ndeshje, duke na lënë disa pikë dhe fitore. Kanë ndikuar te ne, megjithëse nuk e di nëse e kanë me Partizanin apo janë gabimet e tyre. Nuk e di se çfarë të them për këtë pjesë. Olsi Rama ka bërë reagim ndaj arbitrave, se është njeri i drejtë dhe më përpara i ka mbështetur. Po ishin duke na rënë më qafë dhe prandaj qendron si reagim.

Të iki te Tirana? Po shiko, ne jemi futbollistë profesionistë dhe të gjithë bëjnë punën e tyre. Unë jam vërtet profesionist, por të iki nga Partizani tani dhe të kaloj te Tirana, nuk e shoh të mundur. Nëse mund të isha në një ekip tjetër dhe mund të shkoja, por nga Partizani është e pamundur të vete atje. Është e vërtet që kur dashurohesh me një klub dhe tifozeri, të shkosh te armiku i tyre, një burrë nuk e bën dot këtë”, u shpreh Telushi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *