Të gjitha skenaret e kualifikimit të Shqipërisë, barazimi ka vetëm një rrugë “të pamundur”

Shqipëria do të përballet në mbrëmjen e sotme ndaj Turqisë, në atë përballje që konsiderohet si finale e parakohshme. Kuqezinjtë janë të dënuar për fitore, nëse duan të mbajnë ende gjallë shpresat e kualifikimit. Nëse këto tre pikët do të vijnë në transfertë, atëherë Shqipëria do të kalonte menjëherë në vendin e tretë, pasi Islanda pret një Francë të etur për pikë.

Ndërkohë edhe diferenca me Turqinë do të mbetet vetëm tre pikë, ku kanë edhe dy ndeshje të tjera delikate si ato ndaj Francës dhe Islandës. Pra kalendari favorizon më shumë Shqipërinë kur e bëjmë krahasimin me Kombëtaren e Gunesh.

Por të gjithë pyesin veten, po me një barazim ndaj Turqisë, a e kemi ende ndonjë shpresë? Ekzistojnë shpresat, por shumë të vogla. Në një barazim me Turqinë, jo vetëm që ngelej e lartë diferenca me ta, por i jepej një asist perfekt Islandës.

Këta të fundit kanë të njëjtin kalendar identik si Shqipëria në ndeshjet e mbetura. Që Shqipëria të dalë në vendin e dytë nëse del barazim sot me Turqinë, duhet të kemi këto rezultate deri në fund:

Island-Francë: Fitore e Francës.

Island-Andorra: Fitore e Islandës (Të mirëpritura surprizat).

Turqi-Islandë: Llogaritet vetëm barazimi në favorin tonë.

Moldavi-Island: Fiton Islanda.

Ndeshjet e Turqisë

Francë-Turqi: Fitore e Francës.

Turqi-Island: Llogaritet vetëm barazimi në favorin tonë.

Andorra-Turqi: Barazim ose fitore e Andorrës. Surpriza e detyruar për ne.

Këto janë kalkulimet që dërgojnë Shqipërinë në vendin e dytë nëse merret një pikë në transfertën e sotme. Pra dy gjërat më të vështira janë që Turqia dhe Islanda në ndeshjen e tyre direkte të mos marrin asgjë më tepër sesa një barazim. Ndërsa Gunesh duhet të surprizohet në ndeshjen e fundit me Andorrën, ashtu siç edhe në shtëpi, ku fituan 1-0 falë një goli në minutat e fundit të takimit. Sigurisht, të gjitha këto llogari futen duke marrë parasysh që Shqipëria do të “fluturojë” në tre takimet e mbetura dhe do të bëj çmendurinë në “Arenën Kombëtare” për të mundur Francën. Por kjo e fundit pritet që deri atëherë ta ketë siguruar kualifikimin e saj. /Sport Ekspres/