Tavo ul tensionin, pret deri nesër kthimin e Milinkoviçit dhe Norës

0

Gëzim Beqiri

”Peshku i madh ha të voglin. Ju të gjithë e shikoni këtë që po ndodh”, – tha trajneri i Luftëtarit, Milinkoviç, pas humbjes me Flamurtarin. ”Peshku i madh ha të voglin” si parim në sistemin kapitalist, ku mbizotëron fitimi, qoftë edhe me forma të pamoralshme, nuk ka si të mos gjejë terren edhe në futboll. Milinkoviç zakonisht flet me terma të shkurtra, por me këtë duhej të sqaronte edhe më shumë. Që rezultatin e ndeshjes me Flamurtarin e vendosi një nga gjyqtarët më të mirë, Enea Jorgji, është parë dhe kuptuar qartë. Me “peshkun e madh” Milinkoviç nuk nënkupton Jorgjin, sepse ky gjyqtar nga dikush e ka marrë urdhrin, sepse nuk mund të ishte aq i qetë dhe i përzemërt me vëzhguesin e delegatin në korridorin e stadiumit. Asnjë “pendesë” për rastin e Bregut, që ishte penallti, dhe për penalltinë e paqenë të Flamurtarit. Nuk dihet çfarë kanë relatuar delegati dhe vëzhguesi, por të gjithë e dinë se ka një unison mes tyre për vendimet që merren, aq më shumë, kur porosia merret nga “peshku i madh”. Ankohet më të drejtë Tirana se në 4 raste është e penalizuar nga gjykimi, por ç’duhet të bëjë Luftëtari, që i janë mohuar dhe dhënë padrejtësisht 12-gola, pranuar nga analistët më të mirë të gjykimit. Për një penallti të paakorduar për Skënderbeun në Gjirokastër (vërtet ishte) gjyqtari jo vetëm u penalizua 3 muaj, por u zbrit një kategori më poshtë. Me rregullin e treshit, ç`duhet bërë me Jorgjin? Këto padrejtësi ndaj Luftëtarit, ”peshkut të vogël”, detyruan shefin e klubit dhe trajnerin t’i kërkojnë presidentit Tavo dorëheqjen.

TAVO – Për këtë çështjen e gjykimit dhe të ardhmen e dyshes Nora-Milinkoviç, presidenti Tavo dje tha: ”Është për të ardhur keq, kur në më shumë se 9 takime penalizohemi nga gjyqtarët. Takimi me Flamurtarin e konfirmoi këtë. Kur trajneri Milinkoviç u bë pjesë e Luftëtarit, më ka kërkuar dy gjëra; të mos i ndërhyja në formacion dhe korrektesë nga gjyqtarët. Një garanci të tillë ia kam dhënë, por sa i takon gjykimit me të drejtë vjen kërkesa e tij për dorëheqje. Kur je 4-1 apo 4-2 dhe ndëshkohesh nga një gol, nuk të vjen keq, por jo të ndëshkohesh si me Flamurtarin, sepse përmbyset rezultati. Para ndeshjes u thashë futbollistëve se gjithçka do të ishte e barabartë sa i takon gjykimit, por kur mbaroi ndeshja dhe i pashë duke qarë, ashtu si dhe trajnerin, njeriun më serioz dhe korrekt, m’u mbushën sytë me lot. Me Flamurtarin ishte i nënti apo i dhjeti takim, që penalizohemi. Një minutë para mbylljes së takimit ndëshkohemi me 11-metërsh dhe humbin, ndaj na lindin hije dyshimi për gjyqtarët. Nesër (sot) do të grumbullohet ekipi dhe do të flas me futbollistët e trajnerin. Deri të mërkurën do të bëhet gjithçka e ditur, nëse trajneri dhe drejtori sportiv do të jenë pjesë e Luftëtarit ose jo. Të dy kanë punuar shumë mirë. Kam që në mëngjes, që bashkë me juristin jam ulur me trajnerin për ta rikthyer atë në krye të skuadrës. Besoj se Nora dhe Milinkoviç duhet të kthehen, pasi kanë bërë një punë të mirë, gjë që e tregojnë rezultatet. Edhe pse na ndodhi kështu, nuk do të tërhiqemi nga gara. Si mund ta tërheq ekipin, kur kemi nisur një projekt ambicioz. Të gjithë jemi si një familje në funksion të njëri-tjetrit. Situata është e rëndë, është gjendje kritike, por besoj se do ta kalojmë dhe do ta arrijmë vendin e 4-t. Nuk e them se Luftëtarit i takon vendi i 4-t ose jo, por të gjithë e njohin skuadrën tonë. Tifozëve u premtoj se do të jemi në krye të skuadrës dhe kemi nevojë për mbështetjen e tyre. Luftëtari meriton respekt për atë çka ka treguar në fushë dhe askush nuk mund të hedhë poshtë djersën dhe mundin e futbollistëve, trajnerit dhe ne, që investojmë për të. Duhet të theksoj se të mërkurën do të saktësohet qëndrimi ose jo i Milinkoviçit në krye të Luftëtarit. Do të kemi zhvillime ditët në vazhdim. Për premiot që thuhen dhe jepen, është normale, ashtu siç bëri presidenti i Flamurtarit para takimit me ne. U kam premtuar futbollistëve premio, nëse kapim vendin e 4-t”, – përfundoi presidenti Tavo.  

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here