Tavo prezanton stafin e ri: Kemi projekte madhore!  

Presidenti i Luftëtarit flet me superlativa për trajnerët uruguaianë. Fernandez: Do ta lartësojmë emrin e këtij ekipi

Gëzim Beqiri

Në ambientet e stadiumit “Gjirokastra”, në prani të presidentit të ekipit Grigor Tavo dhe zëvendëspresidentit Artur Dadaj, është prezantuar trajneri i ri i Luftëtarit, Daniel Fernandez, bashkë me ndihmësin e tij Luis Urbelo, që të dy nga Uruguai. Gjatë prezantimit ata premtuan se do ta çojnë më lart Luftëtarin jo vetëm këtë sezon, por edhe në vazhdim, pavarësisht se ende nuk është e bërë e ditur kontrata e tyre me këtë ekip, sidomos afati kohor.

FERNANDEZ – Trajneri i ri i gjirokastritëve, Daniel Fernandez, u shpreh: ”Jam shumë i kënaqur për detyrën e re. Falënderoj presidentin e ekipit, z.Tavo, i cili besoi tek ne drejtimin e ekipit. Që nga moment i parë, të gjithë më kanë folur mirë për njerëzit këtu, vendin dhe qytetin tuaj, që më hapi derën të jem këtu me punë, por edhe për ekipin, që është me emër të madh në Shqipëri. Falënderoj menaxherin tim, që më krijoi mundësinë të drejtoj Luftëtarin, një skuadër që e kam njohur ditët që mora vendimin për ta drejtuar. Kam pak ditë këtu, por konstatoj se është një vend i qetë, i dashur dhe që të jep mundësinë të punosh me kënaqësi. Luftëtari ka emër të mirë në futbollin shqiptar. Kjo u pa edhe një sezon më parë, por ne do ta lartësojmë emrin e kësaj skuadre, duke e premtuar këtë që këtë sezon, falë bashkëpunimit dhe ndihmës së presidentit Tavo, gjithë qytetarëve dhe juve që jeni këtu.” Në këtë konferencë shtypi, ndihmëstrajneri i Luftëtarit, Luis Urbelo, pas falënderimit për besimin, tha se ai dhe trajneri Fernandez kanë njohuri të mjaftueshme për Luftëtarin: “Kënaqësi të punosh me Luftëtarin. Nuk e mësuam sot (dje) emrin e kësaj skuadre. Dimë shumë për të. Dimë që ka konkurruar denjësisht në Superligë dhe është klasifikuar midis ekipeve më të mira të vendit tuaj. E kemi parë lojën e saj dhe konstatojmë se ka një nivel të lartë. Kemi informacion të detajuar, kemi shumë të dhëna për lojtarët që janë aktualisht, por ka tre pika ku do ta mbështesim punën tonë ditët në vazhdim; punë, punë dhe punë.

TAVO – Nga ana e tij, presidenti Tavo theksoi se për Luftëtarin nis një projekt i ri: ”Fillojmë sezonin me një projekt të ri edhe më madhor për arritjet e skuadrës. E morëm skuadrën të rrezikuar për rënien në kategorinë e dytë dhe brenda sezonit e ngjitëm në Superiore. Sezonin e fundit zumë vend të katërt dhe në vazhdim do të pretendojmë për më lart. Këtë e bazojmë në projekte konkrete dhe ardhja e këtij stafi të ri e të mrekullueshëm da ta bëjë realitet objektivin tonë. Një sezon më parë patëm arritje dhe ishim me fat që kishim atë staf teknik, me djem të mirë, por edhe specialistë të mirë. Situata e tanishme midis nesh do të sqarohet, por ardhja e Fernandez dhe Urbelo është në kohën e duhur, duke qenë dy djem të mrekullueshëm dhe specialistë të aftë, të cilët ishin në planet tona edhe një vit më parë, por nuk u bë e mundur. Fernandez është një teknik i mirë, ndërsa Urbelo edhe një-ish futbollist i talentuar në Greqi. Të tjerë futbollistë presim në skuadër dhe janë tepër cilësorë, duke e kompletuar si duhet ekipin. Së shpejti do të nisim fazën përgatitore në Greqi dhe deri në fillim të sezonit ekipi do të jetë gati. Do të bëjmë ndryshime të tjera në stafin e klubit, një organizim të ri, që të jetë sa më në funksion të ekipit.”

Uruguaianët drejtojnë seancën e parë
Pasdite është bërë prezantimi me ekipin i dyshes së trajnerëve nga Uruguai në fushën e stadiumit, ku u zhvillua edhe stërvitja. Me prezencën edhe të dyshes drejtuesve Tavo-Dadaj, trajnerët u takuan me gjithë futbollistët dhe u bisedua për disa minuta midis tyre. Në këto raste është e kuptueshme çfarë mund të jetë thënë dhe më pas dyshja e re e stafi teknik ka drejtuar seancën e parë. E rëndësishme është që tani Luftëtari e ka stafin teknik dhe është duke plotësuar grupin e nevojshëm të futbollistëve, jo vetëm për të përballuar kampionatin, por edhe të kërkojë më shumë cilësi për të qenë pretendent për vendet e para në klasifikim, me synim pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *