Taulant Xhaka me 5 yje, Bazeli për rekord

0

Titujt kampion në Zvicër me Bazelin janë bërë një rutinë tashmë edhe për mesfushorin e kombëtares sonë Taulant Xhaka. Ylli i Bazelit ka siguruar një tjetër titull të premten në mbrëmje, teksa me fitoren kundër Luzernës, Bazeli ka siguruar matematikisht titullin kampion 6 javë para fundit të kampionatit. Për mesfushorin tonë, ky ishte titulli i pestë radhazi në Zvicër me Bazelin, ku ai ka qenë protagonist absolut në formacionin titullar të klubit të tij. Siguria matematike u arrit me fitoren 2-1 në fushën e Lucernës, që e shkëputi Bazelin në 24 pikë diferencë ndaj vendit të dytë, Jang Bojsit, të cilit i mbeten vetëm 6 ndeshje për të luajtur. Ky ishte kampionati i 20-të në historinë e Bazelit, dhe i teti radhazi, fakt që tregon qartë dominimin e këtij klubi. Me Bazelin kanë luajtur disa nga lojtarët më të mirë me origjinë shqiptare si Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka që janë me Zvicrën, dhe Taulant Xhaka që është me Shqipërinë. Synimi i radhës i skuadrës së trajnerit Urs Fisher është që të fitojë Kupën e Zvicrës, në finalen që do të luajë në 25 maj ndaj Sionit. Po ashtu, të synojë fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Dushi i shampanjës – Klubi helvet ka postuar dhe foto nga festimet e çmendura të tifozëve dhe lojtarëve të Bazelit pas titullit të tetë kampion radhazi. Festimeve nuk i ka munguar as mesfushori kuqezi. Madje ai i ka bërë dhe shaka një shoku të ekipit, teksa ai po përpiqej të jepte një intervistë për mediat zvicerane. Xhaka ka ndërhyrë në mes e ka mbuluar me shampanjë.

Urim dhe nga vëllai, Graniti – Një mesazh urimi Taulant Xhakës i ka mbërritur de nga vëllai i tij Granit Xhaka, që luan për Arsenalin. Në një mesazh në “facebook”, Granit ka përgëzuar të vëllain e tij për titullin e pestë radhazi. “Urime Bazelit, krenar për vëllain tim Taulantin”- ka qenë mesazhi i përçuar nga Granit Xhaka. 

Taulanti: Çdo vit e më bukur

Trofetë me ekipin e tij Bazelin nuk kanë të mbaruar për mesfushorin e kombëtares sonë Taulant Xhaka. Ylli i kuqezinjve ka fituar një tjetër titull kampion në Zvicër me ekipin e ti. Për Bazelin ky ishte titulli i 20-të në histori dhe i teti radhazi. Ndërsa për Taulant Xhakën ky ishte titulli i pestë radhazi. Jo keq për Taulantin, i cili pas suksesit, duke folur për mediat zvicerane është shprehur shkurtimisht: “Ishte e vështirë, por jam i lumtur që fituam sërish dhe ketë vit. Çdo herë është gjithmonë e bukur”

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image