Tatuazh për golin e parë në Champions? Vinicius Jr i habit të gjithë: Duhet t’i marr leje babit

Vinicius Junior arriti të shënonte mbrëmjen e djeshme golin e parë në Champions League. Futbollisti 19-vjeçar shënoi golin e dytë për Realin e Madridit, në ndeshjen që këta të fundit e fituan me rezultatin 1-3 kundër Club Brugge.

Pas përfundimit të takimit, sulmuesi i galaktikëve është pyetur nëse do mund të bënte një tatuazh për këtë gol të veçantë të karrirës së tij. Por futbollisti ka surprizuar disi me përgjigjen e tij. Mjaftueshëm i madh sa për të luajtur me Realin e Madridit e për të shënuar në Champions, por jo aq sa për të marrë vendime në jetë, Vinicius është shprehur se duhet të marrë fillimisht leje nga babai tij për një gjë të tillë.

“Më duhet të flas me babin për të parë nëse ai më jep leje, por jam shumë i lumtur që shënova sërish dhe do vazhdoj të ndihmoj Realin e Madridit”, është përgjigjur Vinicius Jr./Sport Ekspres/