Tare tregon Baxhion, Lacion dhe tregun e futbollistëve

0

Igli Tare është një personazh i rëndësishëm në futbollin italian, pasi tashmë të gjithë e kanë kuptuar se ecuria e mirë e Lacios në fushë e jashtë saj është sidomos meritë e shqiptarit.

Prej vitit 2005 në Romë, fillimisht si futbollist e më pas si drejtor sportiv, Tare ka afruar shumë lojtarë të talentuar e të panjohur, disa prej të cilëve janë shitur ose do të shiten me shifra të çmendura, si për shembull Milinkoviç-Saviç, futbollist që e kërkon gjysma e Europës dhe Tare e zbuloi në Belgjikë. Duke folur për gazetën “Il Tempo”, Tare shpjegon: “Nuk është vetëm Milinkovic-Saviç, ka pasur edhe të tjerë, por për fat të keq priten me mosbesim. Sergej ka treguar cilësi e personalitet. Duhet lejuar të rritet dhe le të gabojë, pa e shqetësuar shumë”.

Tare tregon edhe rrugëtimin e vet futbollistik: “Pasioni im për futbollin nis që fëmijë, në rrugët e qytetit tim. Kam lindur dhe jam rritur te Partizani i Tiranës, një klub referimi për mua dhe gjithë familjen. Fatkeqësisht, ka vite që nuk kthehem atje. Më pas shkova në Greqi, ku u bëra burrë, ndërsa në Gjermani i poqa si lojtar, kalova 9 vite shumë të rëndësishëm. Bundesliga ishte e ngjashme me Bundesligën aktuale”.

Në karrierën e vet Tare ka luajtur edhe me emra të mëdhenj si Roberto Baxhio e Pep Guardiola: “Roberto është sinonim i fjalës futboll, kujtimet që kam nga ai mbeten unike. Për fat të keq, nuk flasim shpesh. Pep ishte një trajner në fushë, me atë flitej për taktikë nga mëngjesi deri në darkë. Është një person shumë i përgatitur, po e tregon në fushë prej disa vitesh”.

Si nisi aventura me Lacion? “Isha në Sardenjë, më telefonoi vetë presidenti Lotito. Impakti i parë nuk ishte pozitiv, u dëmtova sapo mbërrita. Për fat të keq, rastisi gjithçka me shpërthimin e Pandevit dhe Rokit. Për këtë arsye, vuajta shumë për t’u përshtatur”.

Çdo verë tifozët kanë kritika ndaj klubit, por puna e Tares jep fryte çdo vit dhe Lacio befason: “Çdo sezon flitet para kohe, pa treguar aspak durim. Mrekullitë ndodhin vetëm një herë në jetë dhe Lacio nuk mund të jetë gjithmonë një mrekulli. Duhet vazhdimësi në rezultate dhe në projektet që nisim. Roma është një qytet i veçantë, vetëm duke qëndruar të bashkuar mund të arrihen disa objektiva madhorë. Por nuk është e thjeshtë, pa shumë interesa të ndërthurura”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image