Tare shpërthen: Kampionat i falsifikuar, VAR nuk funksionon!

“Tani mjaft më!”. Lacio ngre zërin kundër arbitrave dhe drejtori sportiv i klubit roman, Igli Tare, lëshon akuza të rënda në një intervistë për Corriere dello Sport: “Të dielën në Kaliari pati një penallti të dyfishtë ndaj Imobiles. Për arbitrin ishte simulim, ndërsa i dha karton të verdhë për protesta. VAR na ka hequr të paktën 12 pikë, them unë, kujtni golin me dorë të Kutrones në ndeshjen me Milanin. Le të themi 6 pikë? Mirë, themi që na kanë hequr aq pikë, por edhe me të paktën 6 pikë më shumë do ishim kualifikuar për në Champions League. Kampionati është tërësisht i falsifikuar, nuk e dimë më cili është kufiri mes gabimeve me qëllim dhe pa qëllim. Goditje ndaj presidentit Lotito? E thatë vetë, nuk kam ç’të shtoj. Lacio goditet sapo ia del të ngjitet lart”.

“Çfarë vlere ka të flasësh? Përdorimi i Var kundrejt nesh shikohet nga të gjithë. Ne nuk kërkojmë favore apo kompensime, vetëm respekt. Nuk kemi vjedhur asgjë, kemi merituar gjithçka dhe e kemi fituar në fushë këtë klasifikim. Jemi të hidhëruar, të zhgënjyer, të lodhur. Po ecim përpara, edhe pse nuk është e lehtë që të flasësh për futboll, taktikë apo diçka tjetër me futbollistët tanë. Skuadra e ka të vështirë në fushë që të pranojë disa situata. Ka pasur episode apo ndeshje të kushtëzuara nga gabimet”.

“Ne jemi të lodhur së folur. Nuk folëm pas ndeshjes kundër Juves, një ndër më të bukurat e këtij sezoni, edhe pse ishte një penallti e bujshme, sepse faulli i Benatiasë mbi Leivan ishte i dukshëm. U dëmtuam edhe javën e shkuar, tani e pranojnë edhe ekspertë që nuk kanë pasur kurë simpati për Lacion. Na kanë dëmtuar, e shohin të gjithë. Mes nëntorit e dhjetorit u penalizuam qartësisht, 4 ndeshje rresht, ku lëshuam pikë që na larguan nga Napoli dhe Juventusi. Ishim pranë kreut, flitej për titull, por na ngadalësuan dhe tani jemi të katërtët, në një kampionat të falsifikuar, ku bëhen gabime të qëllimshme”.

“Aktualisht jemi të katërtët. Nuk më bëhet të jap përqindje, por në qoftë se e dëshirojmë të gjithë, nëse vazhdojmë të luftojmë dhe të vrapojmë, jam i bindur se Lazio, pavarësisht vështirësive, mund të arrijë një objektiv të merituar dhe që vazhdojmë ta ëndërrojmë. Do të vazhdojmë të ëndërrojmë, sepse cilësia është atje, në skuadër. Cilësia ekziston. Në fund të zemrës sime, mendoj se do t’ia dalim mbanë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *