Tare ribën Partizanin: Ende fillimi, me Barletin nuk është hakmarrje

0

Trajneri i të kuqve: Sfida me Barleti Volej, jo hakmarrje për Kupën e Federatës Shqiptare të Volejbollit, por një ndeshje e radhës që duhet fituar

Partizani i volejbollit të femrave u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e javës së tretë me Barletin Volej, që do të luhet të shtunën në ora 17:00 në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Në katër ndeshje, duke përfshirë këtu dhe takimet në Kupën e Federatës Shqiptare të Volejbollit, Partizani i Tares ka marrë dy fitore dhe dy humbje.

Largimi i Thakës peshon, por ardhja e Tucit dhe Ugrenkos duket sikur e ka plotësuar skuadrën e kuqe, që për Roland Taren është totalisht e re. Njihet kundërshtari, dihen pikat e forta dhe të dobëta të tij, por për Taren një fitore me skuadrën e Hasan Gurabardhit nuk do të jetë hakmarrje, por thjesht një sukses i radhës.

– Në prag të ndeshjes së javës së tretë me Barletin Volej, cila është gjendja e Partizanit?
– Gjatë gjithë javës kemi punuar për të rikuperuar gabimet që janë shfaqur në ndeshjen me Tiranën, ku skuadra u tregua me dy fytyra; një pjesë me shumë gabime dhe një pjesë tjetër ku dominuam dhe ndeshjen. Por gjithsesi këto lëkundje të mëdha të skuadrës tregojnë se nuk kemi stabilitet. Gjysma e skuadrës është totalisht e re, pa eksperiencë, gjë që përbën sulmin. Kurse pjesa tjetër, ajo e pritjes së shërbimit, organizimit apo mbrojtjes është me eksperiencë. Megjithatë ne po punojmë shumë për ndërthurjen e këtyre dy brezave dhe shpresoj që në të ardhmen të kemi një ndërthurje, e cila do të na vlejë në fazën e Play-off.

– Nëse do të bëjmë një analizë të skuadrës, duke marrë dhe ndeshjet e Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit, në katër takime keni dy fitore dhe dy humbje. Kur ky Partizan do të vijë në atë nivel që ju kërkoni?
– Partizani do të vijë në nivelin që kërkohet atëherë kur duhet. Por kjo nuk do të thotë që ne duhet të flemë gjumë gjatë gjithë kësaj kohe. Skuadra është e kompletuar, është totalisht e re, përveç organizatores dhe lojtares së lirë, pjesa tjetër luan për herë të parë. Derisa këto të përshtaten me mentalitetin që unë kam për stërvitjen, me mentalitetin e skuadrës së Partizanit, që ka ndryshuar që kur kemi dalë kampion, pra mentalitetin e një skuadre kampione do një farë kohe. Për të përforcuar skuadrën kemi marrë lojtaren ukrainase, e cila për momentin është duke u stërvitur veçmas, sepse ka pasur një dëmtim. Por shpresoj që të jetë në ndeshjen ndaj Barletit Volej, sepse gjithnjë sfidat me këtë skuadër janë interesante dhe të bukura.

– Është larguar nga skuadra qendra Sava Thaka, por janë afruar Malvina Tuci dhe ukrainasja Olga Ugrenko. Sa e kanë ndihmuar ato skuadrën të rritet?
– Malvina është një nga lojtaret më të mira në Shqipëri. E kemi kërkuar me këmbëngulje që ta kishim në dispozicion për sezonin 2018-2019. Malvina është një lojtare e pjekur, lojtare cilësore, e cila na jep siguri për të ardhmen dhe për atë që ne kemi qëllim. Lojtarja ukrainase është lojtare anësore për të cilën ne kishim shumë nevojë. Dhe shpresoj që kjo të përshtatet me mënyrat e volejbollit tonë.

– Diçka për kundërshtarin, çfarë Barleti Volej është në krahasim me sezonin e kaluar?
– Barleti Volej është një skuadër që ka fituar Kupën e Federatës Shqiptare të Volejbollit, ka fituar dy ndeshjet e para të kampionatit. Mendoj që do të jetë një sfidë e bukur dhe shpresojmë që ne të japim maksimumin.

– Së fundi, një hakmarrje për humbjen e finales së Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit, apo një fitore e radhës?
– Nuk mendoj se është hakmarrje, është vetëm fillimi i kampionatit dhe skuadrat ende nuk janë konsoliduar. Pra nuk janë stabilizuar për të parë se ku janë pikat e forta dhe ku çalojnë. Ne pikat e forta të Barletit Volej e dimë se ku janë. Kemi punuar gjatë gjithë javës për t’i krijuar vështirësi kundërshtarit në ato pika të dobëta që ajo ka. Dhe shpresoj që ta realizojmë të paktën këtë ndeshje me Barletin Volej.

GJERGJ VYSHKA

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.