Tare gjen tek Arsenali pasuesin e Felipe Andersonit

Igli Tare i është futur punës për të zëvendësuar brazilianin Felipe Anderson, i cili u shit një javë më parë te skuadra e Uest Hemit për një shumë marramendëse prej 45 milionë eurosh. Sipas medies italiane “Il Messagero”, Lacio është shumë pranë transferimit të fantazistit të Arsenalit Aleks Iuobi. Futbollisti i përfaqësueses së Nigerisë nuk është në planet e trajnerit të ri të “topçinjve” Unai Emeri.

Transferimi i Iuobit te Lacio përflitet se do të finalizohet për shumën e 20 milionë eurove. Nigeriani është vetëm 22 vjeç dhe shihet si një bast me shumë pak risqe në sytë e Igli Tares.

Një tjetër emër që po lakohet në Itali është ai i Andre Shurles, i cili është lënë jashtë ekipit nga Borusia e Dortmundit. Gjermani, kampion bote në vitin 2014, kërkohet edhe nga Kristal Palas. Kalimi te Lacio nuk është i lehtë, duke pasur parasysh se anësori i majtë në Gjermani përfiton 4.5 milionë euro. Italianët japin deri në 3 milionë euro, çka tregon se është një pistë e vështirë për t’u arritur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *