Tare ëndërron stolin e Shqipërisë, por nën një flamur me Kosovën

0

Igli Tare punon e jeton prej shumë vitesh në Itali, ku është bërë një personalitet i rëndësishëm i futbollit italian, por nuk e harron futbollin shqiptar, të cilin e ndjek me kujdes.

Në një intervistë të gjatë për emisionin “2 me 1” të televizionit “RTV 21”, Tare ka prekur tema të ndryshme, duke u ndalur edhe te kombëtarja shqiptare, ëndrra për ta drejtuar një ditë, si dhe bashkimi me Kosovën.

TRAJNER I SHQIPËRISË – “Është dëshirë e imja, e kam shprehur gjithmonë, nuk e kam fshehur, sepse nuk jam vetëm unë, por të gjithë bashkëlojtarët e mi që kemi pasur mundësinë të luajmë me kombëtaren e Shqipërisë. Po t’i pyesësh të gjithë, të gjithë të thonë dua ta stërvit Kombëtaren shqiptare. Por nga një gjë vetëm, nga fakti që jemi të gjithë tifozë të Shqipërisë. Unë jam tifoz i parë i Kombëtares shqiptare, edhe sot kur kam mundësi me gjithë angazhimet që kam në punën time, kur bëhet fjalë për Kombëtaren shqiptare, kudo që është, kam dëshirë ta ndjek e ta shoh nga afër. Një ditë, po të ishte mundësia, në të ardhmen nuk do t’i thosha kurrë ‘jo’ asaj gjëje’.

KOSOVA, TASHMË ME PËRFAQËSUESEN E SAJ – “Nuk kam asgjë kundër përfaqësimit të Kosovës si kombëtare, por kam diçka kundër: për mendimin tim duhet të jetë një kombëtare që përfaqëson kombin shqiptar. E kam të vështirë ta dëgjoj himnin e Kosovës, ose ta shikoj një përfaqësuese me lojtarë shqiptarë, me ngjyra të tjera. Nuk është aspak kundër Kosovës por do të ishte më se e vlefshme edhe për futbollin shqiptar dhe le ta quajmë për futbollin e kombit tonë, që të kishim një përfaqësuese të fortë që përfaqëson kombin shqiptar dhe ajo të ishte Shqipëria”.

KRAHASIMI I SHQIPËRISË AKTUALE ME ATË TË TIJ – “Kemi qenë një grup me shumë talent, por për fat të keq pa atë eksperiencën e duhur për të përballuar evenimente të rëndësishme, siç ishin kualifikimet e Botërorit apo Europianit, sepse na mungonte eksperienca, infrastruktura, gjithçka. Nuk dinim ta menaxhonim talentin e madh që kishim për të arritur rezultate të mëdha”.

SHQIPËRI-GREQI – “Ajo është ndeshja më unike e gjithë kombit shqiptar. Fakti që Greqia e fitoi Europianin, e ekzaltoi më tepër atë ndeshje dhe rëndësinë e saj. Por emocionet përpara ndeshjes, vajtja në stadium, me qindra-mijëra tifozë që e përcillnin skuadrën dhe presioni i madh që kishim para dhe gjatë ndeshjes sepse dinim që gjithë tifozeria jonë priste vetëm fitoren dhe asgjë tjetër, ishte një pengesë shumë e madhe për ne. Dhe gëzimi pas asaj fitoreje ishte i paimagjinueshëm, i papërshkrueshëm. Në historinë e kombëtares shqiptare besoj se është dita me bukur për futbollin shqiptar”.

KOMBËTARJA AKTUALE – “Fakti që Shqipëria e përfaqësoi futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare në një eveniment shumë të rëndësishëm si Europiani është shumë pozitiv për futbollin shqiptar dhe për kombin shqiptar. Por ajo që është më e vështirë, vjen tani, sepse i duhet dhënë vazhdimësi asaj që u bë në vitet e fundit. Vështirësitë do të jenë jo të vogla, të mëdha. Duhet të jenë të gjithë komponentët të bashkuar për t’i dhënë vazhdimësi asaj gjëje të mirë që u arrit për herë të parë në historinë e futbollit tonë”.

FUTBOLLISTËT SHQIPTARË NË ITALI – “Di pak a shumë që në gjithë Italinë janë të regjistruar rreth 1400 futbollistë duke filluar nga moshat deri në Serinë A. Kjo është një e dhënë shumë e rëndësishme, jo vetëm për shqiptarët këtu, por edhe për Federatën Shqiptare e cila duhet t’i monitorojë në mënyrën e duhur për të ndjekur vazhdimësinë e tyre”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here