Tani jepjani kupën Besëlidhjes!

0

“Jemi fituesit moralë”… E kemi dëgjuar shpesh këtë frazë këto vitet e fundit, edhe nga Partizani në fund të sezonit të shkuar, por në këtë moment nëse ka klub që meriton ta thotë me plot gojën, ai është Besëlidhja. Nuk ka historinë e Tiranës, nuk ka milionat e Skënderbeut, nuk ka as ndonjë gjyqtar që t’i dhurojë ndonjë 11-metërsh kur është në hall, por ia ka dalë mbanë të shkojë në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, një tabu për gjithë klubet inferiore, prej shumë e shumë vitesh. Aq të pashpresë janë klubet e kategorive të ulëta për ndonjë mrekulli finale, saqë sapo u bie shorti me klubet me emër, luajnë me rezerva e shpesh mundohen të evitojnë disfatat me goleada. Këtë sezon Besëlidhja ka thyer një tabu, ka guxuar të ulet në “sofrën” e bosëve të Superiores, ata që premtojnë titull e kupë që në tetor dhe gjithashtu janë të sigurt se mund të shkojnë larg edhe në Europë, me pak fat. Besëlidhja nuk ka miliona, presidenti Gjokë Noka sakrifikon jo pak, ndihmuar edhe nga Bashkia Lezhë, por për t’u ngjitur në Superiore nuk ia ka dalë mbanë. Fundja, i duhet një leksion se si fitohen ndeshjet pa luajtur, sepse flitet që Noka nuk e paska idenë fare dhe kujton se futbolli luhet me 11 vetë në fushë! I çmendur! “E megjithatë ajo rrotullohet!”, tha Galileu nja 5 shekuj më parë. E kishte për tokën, por nëse do ta thoshte Noka, do të ishte: “E megjithatë, fitohet edhe në fushë!”. Pa e vrarë shumë mendjen për emrat e klubeve që kishte përballë, Besëlidhja eliminoi Partizanin në turin e shkuar dhe Flamurtarin në çerekfinale: 4 ndeshje, asnjë humbje, futboll për duartrokitje, ato që i mori me të drejtë para dy javësh në Vlorë, nga njerëzit e pranishëm në stadiumin “Flamurtari”. Tani Besëlidhja është në gjysmëfinale dhe ëndërron, por “peshkaqenët” rreth saj shpresojnë ta kenë përballë që në gjysmëfinale, të sigurt se është një “pre e lehtë”, fundja rregullohet me ndonjë arbitrim perfekt. Sido që të shkojë, Besëlidhja e meriton një trofe dhe atë moral e ka fituar, mjafton të shohësh buxhetin e saj dhe mënyrën si ka mbërritur në gjysmëfinale, krahasuar me Tiranën (no comment), Teutën që dje mori dhuratën e Shën Valentinit nga arbitri Jorgji dhe Skënderbeun, që i ka dalë nami i keq dhe paragjykohet edhe kur fiton.

Blerim Jahaj

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here