Talenti i sezonit “gjysmagjel”

0

Liridon Latifi, futbollisti i sezonit, dhe Sabiel Lilaj, lojtari Fair-Play, kanë munguar në ceremoninë e dorëzimit të trofeut, që e detyron shoqatën “Sporti na Bashkon” të bëjë një tjetër organizim për ta

Gjergj Vyshka

Talenti i sezonit në edicionin e saj të tetë, një organizim i shoqatës “Sporti na Bashkon”, duket sikur ka qenë një “gjysmagjel”. Sepse për herë të parë ndodh në këto tetë edicione, sërish e zhvilluar në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, që dy nga fituesit të mos paraqiten. Dhe nuk është pak, por bëhet fjalë për fituesin e sezonit, si dhe lojtarin Fair-Play, të dy të ardhur nga ekipi kampion i Skënderbeut i sapo shpallur për herë të shtatë nga të cilat që nga sezoni 2010-2011 numëron gjashtë fitore radhazi. Dhe në fakt, ashtu sikurse do të shpjegonte dhe një nga drejtuesit e kësaj shoqate, Tami Kona, fituesit kanë ardhur jo vetëm nga votimet e gazetarëve sportiv, por dhe të dhjetë trajnerëve të Kategorisë Superiore. “Madje – thotë Kona – këtë herë kanë votuar dhe trajnerët e kombëtares U-17, U-19 dhe U-21. Që do të thotë që nga Bellai e Jupi, por i vetmi votim që na ka munguar ka qenë ai i trajnerit të kombëtares, Xhani De Biazit, ndërsa ne i urojmë suksese ekipit tonë kombëtar në Francë. Ideja që ne të vazhdojmë të bëjmë më të mirën, sepse kështu provojmë futbollin shqiptar dhe më pas nxisim talentet e futbollit shqiptar të ecin përpara”. Por Sabiel Lilaj, lojtari Fair-Play, dhe Liridon Latifi, që është lojtari i sezonit nuk kanë qenë të pranishëm. E kjo sipas drejtueses së edicionit të tetë, Enkelejda Zekos, për arsye personale, gjë që e detyron shoqatën “Sporti na Bashkon” të organizojë një tjetër ceremoni veçmas për ta. A mund të ketë ndikuar situata në të cilën ndodhet aktualisht Skënderbeu kur është nën hetimin e UEFA-s për mbivendosje rezultatesh e sot pritet vendimi i Komisionit të Disiplinës? E vështirë të thuhet, ashtu sikurse është fort e besueshme se lojtarët kanë nisur pushimet e ndoshta ky edicion i tetë duhet të ishte bërë më herët. Pse jo ende që pa nisur kombëtarja grumbullimin e saj në Austri, sepse një prezencë e trajnerit të kombëtares, Xhani De Biazi, apo dhe e autoriteteve më të larta të Federatës Shqiptare të Futbollit do të krijonte një tjetër atmosferë. Veçse entuziazmi dhe humori tek kampionët nuk është më ai i pari, pa thënë që edhe mund të kenë munguar për t’iu shmangur ndonjë debati të mundshëm në atë që do të mund të vendosë UEFA. Shkurt, Latifi si fitues e Lilaj si lojtari Fair – Play dje nuk ishin e në ceremoninë e “Talentit të Sezonit”. E, si rrallëherë, ishin vetëm pesë nga shtata të lauruar.

Fituesit – Ashtu sikurse e do zakoni, edhe këtë sezon Shoqata “Sporti na Bashkon” i është përmbajtur formatit të saj. Që do të thotë se janë dorëzuar tre çmime të treta, dy çmime të dyta, lojtari Fair-Play dhe një çmim të parë. Kanë ardhur njëri pas tjetrit Erion Hoxhallari i Tiranës, Jurgen Bardhi i Partizanit, Gentian Selmani i Laçit, Realdo Fili i Partizanit dhe Artur Magani i Teutës. Para çdo dorëzimi të çmimit nëpërmjet kronikave nga Pasi i Fundit i gazetarit të Televizionit Shqiptar, Alban Hasani, është bërë dhe prezantimi i fituesve. E më pas janë thirrur dhe figura të sportit për të nderuar këto fitues. Kështu për Erion Hoxhallarin ka ardhur ish-futbollisti i Tiranës, Luigj Bytyçi. Për Jurgen Bardhin e Partizanit ish-futbollisti i Tiranës dhe i kombëtares, sot shefi i klubit shumësportësh i të kuqve, Shkëlqim Muça, i vetmi që nuk bëri asnjë koment. Për portierin e Laçit, Gentian Selmani, është ftuar të dorëzojë trofeun drejtori i stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, Eduard Prodani. Për Realdo Filin ka ardhur mjeshtri i radiofonisë sportive Ismet Bellova, që sot mbush 82 vjeç. Dhe për Artur Maganin, Artisti i Popullit, një ish-notar, Mirush Kabashi. Dhe mbylljen më pas e ka bërë një tjetër organizator si Gëzim Nushi, i cili ka falënderuar të pranishmit në këtë ceremoni të edicionit të tetë të “Talentit të Sezonit”. Foto e të gjithë fituesve ka mbyllur dhe këtë edicion të tetë, e cila pa Lilaj dhe Latifin duket se ka qenë gjysmake…

Hoxhallari: Mbetem tek Tirana

Erjon Hoxhallari, mesfushori i Tiranës, është fituesi i një prej tre çmimeve të treta në këtë edicion të tetë të Talentit të Sezonit. Ka premtuar besnikëri ndaj Tiranës, ndoshta duke mohuar çdo ofertë që mund t’i vijë nga klubet e Kategorisë Superiore. “Ndihem shumë i lumtur për këtë çmim. Ia dedikoj Tiranës, sepse është skuadër që më ka dhënë shumë. Sigurisht që do t’i mbetem besnik kësaj skuadre dhe nuk do të largohem. Çmimin e fituar ia dedikoj familjes, Tiranës si skuadër, por dhe tifozëve bardheblu”, ka thënë Hoxhallari, ndërsa më pas ka marrë çmimin që i takon.
Bardhi: Ky është çmimi i parë i karrierës

Fjalëpak, por një talent që është duke i ardhur Partizanit. Bëhet fjalë për Jurgen Bardhin, i cili ka qenë fitues i Kupës së Shqipërisë me të rinjtë e po kështu dhe nënkampion i Shqipërisë me të rinjtë. “Ky është çmimi i parë i karrierës. Jam shumë i kënaqur, sikurse jam i kënaqur me atë që ka bërë Partizani për mua”, ka thënë Bardhi, që është një nga fituesit e skuadrës së kuqe në “Talentin e Sezonit”.

Selmani: Kupa më ngeli peng

Gentian Selmani, portieri i Laçit, e ka ende peng mungesën e fitimit të Kupës së Shqipërisë në atë finale të humbur me Kukësin vetëm me penallti. “Sigurisht që është peng për mua – thotë Selmani përpara dorëzimit të trofeut – por unë shpresoj që vitin e ardhshëm së bashku me Laçin të jemi fitues të trofeve. Do të na mungojë Evropa duke shpresuar që të jemi sezonin e ardhshëm. Falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan”.

Fili: Trofeu një shtysë e madhe

Realdo Fili është për herë të dytë fitues në Talentin e Sezonit, teksa pas Apolonisë është fitues edhe me Partizanin. “Për mua – thotë Fili në prag të marrjes së trofeut – mjafton që të marrë atë që duhet. Që do të thotë se ky trofe është shumë i rëndësishëm për mua. Do të thotë një shtysë e madhe për të vazhduar më tej me Partizanin si në arenën ndërkombëtare, ashtu dhe atë kombëtare”

Magani: Teuta ka rolin kryesor

Artur Magani ka ardhur me kokën ulur përpara trofeut, ndërsa ka deklaruar se vetëm punëtorët e bëjnë një gjë të tillë. Një fenomen që ka rënë në sy dhe të drejtueses së edicionit të tetë të Talentit të Sezonit, Enkelejda Zeko. A ndikon i ati në atë që bën Arturi në stërvitje dhe në ndeshje? Kjo ka qenë pyetja, ndërsa përgjigja e sulmuesit të Teutës: “Sigurisht që babai ka rolin kryesor në rritjen time si lojtar, apo dhe në këtë trofe. Por më kryesori është Teuta”.

Çmimet e edicionit të tetë të Talentit të Sezonit

Çmimi i Parë         Liridon Latifi (Skënderbeu)

Çmimi i Dytë         Artur Magani (Teuta)

Çmimi i Dytë         Realdo Fili (Partizani)

Çmimi i Tretë        Erjon Hoxhallari (Tirana)

Çmimi i Tretë        Jurgen Bardhi (Partizani)

Çmimi i Tretë        Gentian Selmani (Laçi)

Lojtari Fair-Play    Sabien Lilaj (Skënderbeu)

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.