Talente të fshehur, rasti i çuditshëm Alen Sherri

Shkodra është fabrikë talentesh, tashmë kjo dihet nga të gjithë, pasi ndër vite ka prodhuar aq shumë futbollistë të talentuar, saqë është çudi e madhe se si ky klub vazhdon të vuajë prej një dekade, duke humbur më të mirët shpesh falas, ndërsa detyrohet të marrë lojtarë nga jashtë, ose nga ekipet e tjera në Shqipëri.

Rasti Atletik Bilbao flet qartë: ekip i tëri bask, lojtarë vendas që rriten dhe promovohen, me klubin që qëndron në nivele të larta, luan në kupat e Europës dhe ka stabilitet financiar. Stabilitet që i mungon Vllaznisë, natyrisht, por mungon edhe largpamësia.

Realiteti është që në Shkodër nuk mungojnë vetëm paratë: ato janë një justifikim i mirë për të thënë që “ja pse nuk kami sukses, nuk merr dot lojtarë të mirë falas”. E megjithatë, këtë verë në Shkodër u kthyen Vucaj, Hasani e Gilman Lika, lojtarë jo dosido, që kanë emër dhe kontrata të rënda. Pra, paratë nuk është se mungojnë.

Ajo që mungon, është aftësia për të rritur dhe reklamuar si duhet talentet. Mungon një strategji, një plan afatgjatë, një model “Skënderbeu” në miniaturë, sepse është e pakonceptueshme që Tirana e rënë nga Superiorja të arkëtojë qindra milionë lek nga shitja e talenteve të saj, ndërsa Vllaznia nuk merr asgjë dhe nuk shet askënd. Mungojnë talentet? Gafë e rëndë ta thuash: mjafton të kujtojmë që Rubin Hebaj iku falas në Slloveni, ku po shënon, ndëra Uendi Vecaj shkoi te Dinamo e Zagrebit, ku u pëlqye, ndërsa në Shkodër nuk është se vlerësohej shumë.

Po aktualisht? Ekziston një rast tipik që flet qartë për mungesën e largpamësisë në Shkodër dhe ai quhet Alen Sherri, një emër për të cilin flitet prej kohësh dhe të gjithë ata që e kanë parë të stërvitet dhe të luajë, thonë që është talent i madh. Portier 19 vjeç, thuajse 2 metra i gjatë, prej 4 vitesh pjesë e ekipit të parë, që në sezonin 2014/2015 luajti edhe 7 ndeshje si titullar në Superiore. E kërkuan klube të huaj, u provua edhe te Roma, i vëzhguar dhe i pëlqyer nga një mjeshtër si Valter Sabatini, por nuk u bë asgjë, për çështje dokumentacioni dhe financiare. Normalisht, një klub tjetër do ta kuptonte që ka në dorë një “xhevahir” të vogël, që duhet rritur dhe reklamuar sa më shumë të jetë e mundur. Thuhet shpesh se Skënderbeu aktivizon disa lojtarë më shumë nga të tjerët vetëm e vetëm për t’i bërë të njohur dhe për t’u rritur vlerën në treg, duke ia dalë mbanë me sukses, mjafton të shihet që iku Latifi, erdhi Sahiti dhe ky i fundit ishte më i miri në fushë dje ndaj Jang Bojs.

Te Vllaznia ndjekin rrugë të tjera, prej vitesh marrin lojtarë të huaj, akuzojnë portierë për paaftësi apo për mungesë impenjimi, provojnë shumë të tjerë dhe në fund ankohen që nuk gjejnë dot lojtarë cilësorë. Mungesë vlerësimi edhe për portierët aktualë, Selimaj e Sherri. Dashja pa dashje, Selimaj është titullar, ndëra Vllaznia nuk ka menduar as ta huazojë diku Sherrin për të luajtur rregullisht. Tipik rasti i Gentian Selmanit në Laç: aty patën guximin t’i japin një fanellë titullari dhe tashmë duket si veteran, një garanci në portë.

Sherri në këtë moment nuk po luan, kontrata i përfundon në 2019 dhe ndoshta deri atëherë do të detyrohet të presë, para se të largohet falas, ndërsa Vllaznia do të shpresojë që të kapë ndonjë euro nga taksa e formimit, nëse Sherri ikën jashtë Shqipërie. Përndryshe…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *