Takajn e presin në Korçë, heshtje totale për shtypin

Pas vendimit të fundit të Etikës, presidenti i Skënderbeut ka vendosur të mos flasë. Pret ankimimin në KAS, por nuk flet as për Europa League

Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, ka disa javë që nuk flet për shtypin sportiv. Mund të jetë e justifikueshme, sepse ekipi i tij humbi kampionatin dhe “bosi” i korçarëve ndoshta nuk kishte  çfarë të thoshte. Pak ditë më parë erdhi edhe vendimi i fundit i Komisionit të Etikës, që i hoqi titullin e fundit kampion Skënderbeut, atë të sezoneit 2015-2016, i hoqi 12 pikë nga renditja e sezonit të kaluar dhe e dënoi edhe më shumën prej 2 milionë lekësh të reja. Edhe pas këtij vendimi, që turbulloi gjithë Korçën, sepse për të gjithë korçarët është absurd, presidenti Ardjan Takaj nuk ka pranuar të flasë. Këtë gjë i pari i klubit bardhekuq nuk e ka bërë asnjëherë gjatë gjithë këtyre viteve në krye të Skënderbeut. Një vit më parë, kur UEFA dha vendimin për Skënderbeun, duke e lënë një vit jashtë Kupave të Europës, presidenti Takaj reagoi menjëherë. Këtë herë ka vendosur që të heshtë totalisht dhe të mos bëjë as komentin më të vogël për atë çfarë po ndodh me Skënderbeun.

Gazeta ka tentuar disa herë të kontaktojë me presidentin e Skënderbeut, por ka qenë e pamundur. Ndoshta ai pret që çështja të shkojë së pasi në KAS dhe, pasi të merret edhe vendimi, do të flasë njëherë e mirë. Takaj njihet si një njeri, i cili nuk dëshiron më të flasë përpara kohe. Në fakt, në Korçë mezi presin që Takaj të vijë dhe të jetë pranë skuadrës. Numri 1 i klubit bardhekuq mësohet se do të jetë në Korçë dy ditë përpara takimit të parë të Europa League, atij ndaj Sant Julias, që luhet të enjten në stadiumin e Korçës. Kjo do të thotë që e shumta nesër ai do të mbërrijë në juglindje dhe do të jetë pranë ekipit. Nuk janë vetëm tifozët, të cilët mezi e presin presidentin Takaj të mbërrijë në Korçë, por edhe futbollistët e stafi teknik. Si gjiothmonë, Takaj pritet të vijë bashkë me zëvendësin e tij, Arlind Boshkun. Të gjithë drejtuesit e Skënderbeut do të jenë bashkë të enjten në mbrëmje, kur do të ndjekin nga afër ndeshjen me Sant Julian, ku presin nga futbollistët e tyre ta sigurojnë kualifikimin që në 90-minutëshin e parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *