Takaj: Vazhdimësi dhe punë 24 orë, ky është Skënderbeu ynë

0

Presidenti i korçarëve: “Të tregojmë forcën tonë edhe të enjten ndaj Jang Bojs”. Shpërblimi është njësoj, 100 mijë euro për fitore dhe 50 mijë për barazimin

Leonard Trebicka

Pas fitores me Partizanin, presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, tregohet shumë i qetë dhe aspak euforik. Ai vlerëson se ky është Skënderbeu që pritej, pasi i ka dhënë shenjat që në fazën e fundit të kampionatit që shkoi. Numri 1 i klubit korçar bën të ditur edhe shpërblimin në rast fitoreje me zviceranët e Jang Bojs të enjten në mbrëmje, në stadiumin “Elbasan Arena”. Eshtë i njëjti shpërblim si në Kiev, pra 100 mijë euro për fitoren dhe 50 mijë për barazimin. Presidenti Takaj kërkon edhe ndihmën e tifozëve për të kaluar me sukses ndeshjen e parë shtëpiake në grupet e Europa League.     

– Takaj, a është ky Skënderbe që prisnit, ekipi që bën diferencën në kampionatin shqiptar?

– Në fakt, më pëlqen më shumë ta them që ky është Skënderbeu i vazhdimësisë. Kemi vite që po kërkojmë një skuadër të denjë edhe për Europën dhe sot e kemi. Jemi në rrugën e duhur dhe them se ky Skënderbe pritej, nuk është çudi që sot jemi këtu ku jemi.

– E kishit menduar realisht pas fundit të sezonit të kaluar se Skënderbeu do të shkonte kaq larg në Europë?

– Personalisht, sa herë më keni pyetur, kam thënë se do të jemi të fortë. E kam thënë shumë kohë më parë. Kjo rrugë e gjatë që ne po vazhdojmë në Europa League, u pa që në eliminatore, ku ne kishim objektiva të madha dhe nuk jemi rastësisht në grupe. Thashë edhe më sipër se kjo është vazhdimësia, pasi e kemi herën e dytë që jemi në grupe. Po bëhet traditë për skuadrën tonë.   

– Kishte shumë skeptikë, të cilët mendonin se skuadra nuk do të ishte kaq kompakte dhe mbi të gjitha e bukur në fushë?

– Ata që e kanë parë me vëmendje këtë Skënderbe dhe që e kanë ndjekur prej vitesh, e kishin të lehtë për të parashikuar se sot do të kishim këtë skuadër. Bashkë me stafin tim qëndroj dhe jetoj 24 orë me Skënderbeun, ndaj e dija më shumë se çdokush tjetër dhe kjo u pa qartë që sezonin e kaluar, në fazën e katërt. E dinim që do të ishim të fortë në Superligë, por edhe në Europë.

– Në kampionat dukeni superiorë në start. Si i shikoni skuadrat rivale, apo edhe ato të ashtuquajtura “të vogla”?

– Nuk trembemi nga asnjë kundërshtar, por mund të them se duhet të jemi seriozë dhe të vlerësojmë maksimalisht çdo ekip. Në fund të fundit, çdo ndeshje vlen tri pikë, si ndaj një rivali, ashtu dhe ndaj një ekipi më të lehtë. Nëse jemi seriozë në çdo ndeshje, patjetër që do të jemi ekipi për t’u mundur. Kampionati është i gjatë dhe duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një.

– Të enjte, në “Elbasan Arena”, prisni zviceranët e Jang Bojs. Si e shikoni këtë ndeshje të dytë në Europa League?

– Eshtë një ndeshje shumë e fortë. Jo më kot Jong Bojs kryeson kampionatin zviceran dhe vitet e fundit është forcuar vërtet shumë. Në fakt, të gjithë kundërshtarët janë të fortë, por ne duhet të bëjmë lojën tonë në Shqipëri dhe jashtë. Nuk jemi rastësisht këtu ku jemi. Forcën e kemi treguar dhe do ta tregojmë deri në fund.

– Që do të thotë se do të kërkoni fitoren të enjte?

– Sigurisht që do të luajmë vetëm për tri pikë, pavarësisht kundërshtarit. Them se do ta arrijmë këtë objektiv, por më mirë le t’ia lëmë fushës.

– Në rast fitoreje apo barazimi, shpërblimi do të vazhdojë të jetë ai i ndeshjes së parë, që caktuat në Kiev?

– Premiot do të jenë të njëjta deri në fund të fazës së grupeve. Me këtë dua të them se 100 mijë euro ekipi ka në dispozicion në rast fitoreje dhe 50 mijë euro për barazimin. E njëjta shifër ishte edhe ndaj Dinamos së Kievit. Kështu do të jetë këtë të enjte ndaj Jang Bojs dhe këtë gjë ua kam thënë vetë futbollistëve. Ata e dinë premion, që kanë për sukseset që do të arrijnë.     

– Sa shanse ka Skënderbeu ta kalojë fazën e grupeve, sipas jush?

– Nuk di të jap përqindje për kalimin e grupeve të Europa League, le të shikojmë sa do të arrijmë, sepse të gjithë e dinë forcën që kanë skuadrat në këtë fazë, nuk është e lehtë. Pas ndeshjes me Jang Bojs, nëse e kalojmë me sukses, do të flasim më qartë.

– A mund t’i përballojë deri në muajin dhjetor ky Skënderbe të tre kompeticionet, pasi ndeshjet sa vijnë e vështirësohen?

– Do të jetë e vështirë, por duhet t’i vlerësojmë si duhet të tre kompeticionet. Nëse nuk e bëjmë një gjë të tillë, do të gabojmë, por kam shumë besim te grupi i lojtarëve.

– Pas ndeshjes me Jang Bojs, shkoni në transfertë e vështirë të  Kukësit për javën e katërt të kampionatit?

– Nuk me intereson aspak ndeshja me Kukësin. Gjithë përqendrimi në këtë moment, si nga unë, futbollistët dhe stafi teknik, është vetëm te Jang Bojs.

– Së fundi, a ka presidenti Ardjan Takaj diçka për t’u thënë tifozëve?

– Ta mbështesin sa më shumë ekipin, në mënyrë që të shkojmë sa më larg. Të enjten do të jetë një ndeshje e madhe në “Elbasan Arena”, ndaj Jong Bojs. Të gjithë bashkë të bëjmë çmos për ta fituar këtë takim të Europa League.  

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image