Takaj: Të mos ndalemi, për fitore dhe në Vlorë!

Presidenti i Skënderbeut ka një kërkesë të veçantë për të tijtë. Dëshiron trepikëshin në transfertën vlonjate për të vazhduar shkëputjen

Leonard Trebicka

“Nëse duam ta rikthejmë sa më parë titullin në Korçë, pa diskutim që edhe të enjten duhet të fitoni në Vlorë. Jo vetëm ndaj Flamurtarit, por kudo dhe ndaj kujtdo duhet të luajmë vetëm për tri pikë”, – ka theksuar presidenti i korçarëve, Ardjan Takaj, përpara ekipit në një analizë të zhvilluar dje me skuadrën. Në fakt, nuk është hera e parë që Takaj takon këto ditë të tijtë. E ka bërë disa herë, pasi skuadra po stërvitet në resortin “Tropikal”. “Bosi” i bardhekuqve ka ndjekur thuajse çdo stërvitje të Skënderbeut dhe shpesh ka pasur biseda me lojtarët. Të gjithë  drejtuesit po qëndrojnë pranë ekipit në Durrës, pasi përpara është një ndeshje shumë e rëndësishme.

JO VETËKËNAQËSI – “E kemi nisur këtë sezon si jo më mirë, siç i ka hije Skënderbeut. Por nuk duhet të vetëkënaqemi, pasi jemi të shkëputur. Kjo gjë duhet të na shërbejë për të vazhduar në rrugën tonë. Nuk duhet të falim në asnjë ndeshje, sidomos deri në fund të këtij viti, për të qenë më të shkëputur dhe për ta pasur rrugën më të lehtë. E vlerësoj shumë atë që keni bërë fazën e parë, por le të mendojmë tani sikur po nisim nga fillimi gjithçka. Kam besim që do ta bëni një gjë të tillë. Dua të them se duhet të jepni gjithçka për gjithçka në Vlorë, pres nga ju vetëm trepikëshin”, – ka vazhduar Takaj në takimin me lojtarët.

Presidenti i Skënderbeut po i karikon çdo ditë e më shumë të tijtë, që ata të ecin me ritmin e deritanishëm. Eshtë ende shumë herët, por te Skënderbeu po i bëjnë llogaritë që të shkëputen sa më shumë nga ndjekësit.

SKUADRA – Skënderbeu po i zhvillon seancat stërvitore në Durrës, ku dje Daja dhe të tijtë kanë zhvilluar seancën e radhës, në orën 16:00. Ka pasur ritëm të lartë, pavarësisht mungesave të shumta në grupin e futbollistëve. Korçarëve u kanë mbetur edhe dy seanca stërvitore para ndeshjes me Flamurtarin. Pas përfundimit të stërvitjes së nesërme, skuadra do të niset drejt Vlorës, për t’u akomoduar në këtë qytet një ditë para ndeshjes së parë të fazës së dytë. Dje Skënderbeu ka zhvilluar edhe një seancë teorike.

VLORA – Ndeshja e së enjtes ndaj Flamurtarit është ndër më të vështirat për Skënderbeun. Flamurtari ka objektiva madhorë këtë sezon dhe bashkë me Skënderbeun, Kukësin dhe ndoshta Partizanin, janë ekipet që rivalizojnë për titullin kampion. Gjithmonë Skënderbeu e ka pasur të vështirë në stadiumin “Flamurtari”, por tre sezonet e fundit ka arritur të fitojë. Më parë e ka pasur të pamundur të kthehej qoftë edhe me barazim nga kjo transfertë. Vlonjatët do të bëjnë ç’është e mundur për ta ndalur Skënderbeun.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *