Takaj: Skënderbeu meriton notën 10, titullin sa më shpejt

Presidenti bën “skanerin” e fazës së parë dhe shprehet shumë i kënaqur me lojën dhe rezultatet. Eshtë i bindur se ekipin e tij nuk e ndal askush

Leonard Trebicka

“Ekipi meriton notën maksimale pas fazës së parë. Meriton notën 10, pasi të përballosh një ngarkesë kaq të madhe nuk është e lehtë. Kemi ditur ta menaxhojmë energjitë”, – thekson presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, teksa i bën një analizë ekipit të tij pas 9 ndeshjeve të para. Duke parë diferencën prej 7 pikësh nga ndjekësi më i afërt, ai shprehet i bindur se titulli do të kthehet në Korçë. “E prisja që Skënderbeu të niste vrullshëm kampionatin, pasi për këtë jemi munduar, të krijojmë ekipin më të mirë të mundshëm. Kemi një ekip të kompletuar dhe nuk është çudi  të jemi në këtë pozitë”, – ka shtuar Takaj. Ja dhe intervista e plotë për “Sport Ekspres” e numrit 1 të Skënderbeut:

– Z.Takaj, faza e parë ka përfunduar me Skënderbeun në krye, me 7 pikë para vendit të dytë. E prisnit këtë start?

– Për të qenë realist, e prisja që Skënderbeu ta niste vrullshëm kampionatin, pasi për këtë jemi munduar, të krijojmë ekipin më të mirë të mundshëm. Kemi një ekip të kompletuar dhe nuk është aspak çudi të jemi në këtë pozitë. Gjithsesi, kemi akoma për të bërë dhe nuk është çudi që në fazën e dytë e në vazhdim ta thellojmë këtë diferencë.

– Jeni i kënaqur plotësisht deri tani nga ecuria e skuadrës suaj?

– Normalisht që po. Jam shumë i kënaqur, pasi kemi fituar 8 ndeshje dhe kemi barazuar në një ndeshje. Ky është maksimumi që mund të marrë një ekip në një rrugëtim për një fazë. Dhe kjo gjë na bën të jemi krenarë dhe të punojmë më shumë për të kthyer këtë sezon titullin kampion në Korçë.

– Kaq i bindur jeni për këtë që po thoni, pasi janë përpara edhe tri faza të tjera?

– Nuk jemi rastësisht në krye të Superiores. E theksova edhe më sipër se kemi ndërtuar një skuadër për të qenë kampione dhe këtë e tregojnë edhe këto 9 ndeshje të para, ku jo vetëm nuk na ka mundur askush, por më shumë se kaq me të gjitha ekipet rivale kemi arritur të fitojmë.

– Barazimi i vetëm në këtë fazë është ai në Kamzë. Ju vjen keq për dy pikët që latë atje?

– Më vjen keq, sepse i lamë dy pikë shumë shpejt, por kur pashë që skuadra reagoi dhe nuk nënvlerësoi asnjë kundërshtar, atëherë edhe unë jam në rregull me lojtarët. Të gjithë e kanë bërë më së miri detyrën e tyre.

– Një ekip që dominon të gjithë kundërshtarët. Cilin do të veçonit te skuadra juaj?

– Është diçka e pamundur të bëj diferencime për sa u përket lojtarëve të mi. Janë treguar që të gjithë shumë të zotë dhe për këtë kanë merituar të jenë pjesë e Skënderbeut në zgjedhjet që janë bërë në fillim të sezonit. Forca jonë është te grupi dhe merita padyshim që u takon të gjithëve, duke filluar nga stafi teknik e deri te lojtari i fundit.

– Më në fund Lilaj kthehet në Kombëtare, Souenë e grumbullon Gambia dhe Jashanicën e Alitin Kosova…

– Ky është një vlerësim më shumë për lojtarët, por edhe për ne si klub. Lilaj, me paraqitjet e tij, e ka plotësisht të merituar vendin në Kombëtare. E ka fituar me zotësi, në bazë të asaj ç’ka ka dhënë në fushë. Nga ana tjetër, Soue është një sulmues i madh dhe patjetër që do të grumbullohej me kombëtaren e tij.

– Tre kompeticione, Europa League, kupë dhe kampionatit. Deri në këtë moment, çfarë note do t’i vini Skënderbeut tuaj?

– Padyshim që ekipi meriton notën maksimale. Meriton notën 10, pasi të përballosh një ngarkesë kaq të madhe ndeshjesh nuk është e lehtë, por ne kemi ditur ta menaxhojmë energjitë. Të luash në Europë është një sforco e madhe dhe lodhja u ndje në ndeshjen kundër Vllaznisë. Megjithatë, arritëm të fitojmë dhe për këtë jam i kënaqur.

– Me të gjitha këto që thatë, jeni i bindur që keni krijuar skuadrën e duhur në këtë sezon?

-Po. Këtë vit kemi qenë shumë të vëmendshëm në zgjedhjet që kemi bërë. Dhe deri tani e kemi treguar se nuk kemi gabuar në atë çfarë kemi zgjedhur. Ekipi është i plotë dhe gati për të përballuar ngarkesën, gjë që e ka treguar deri tani.

– A është në gjendje skuadra të vazhdojë me këtë ritëm?

– Absolutisht që po. Ne këtë sezon e kemi vlerësuar maksimalisht që në start dhe ajo që u kam kërkuar të gjithëve është të mos gabojmë në asnjë moment, në mënyrë që titulli të sigurohet sa më parë. Kur ta kemi siguruar titullin, edhe ne do të jemi të qetë. Personalisht, nuk e diskutoj që titulli vjen vetëm në Korçë.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *