Takaj: Për tri ditë vjen “sozia” e Peter  

0

 

Presidenti i Skënderbeut garanton që sulmi do të jetë “top” pas zëvendësimit të Olainkës. Njëkohësisht, “bosi” i korçarëve përgënjeshtron zyrtarizimin e Berishës te Lokomotiva e Moskës

 

Leonard TREBICKA

“Po punojmë për të forcuar ekipin pas largimit të Peter Olainkës dhe jemi duke operuar në dy pista, me dy lojtarë, por do të zgjedhim vetëm njërin prej tyre. Do të jetë një futbollist që do të bëjë diferencën dhe po punojmë që të mbyllim marrëveshjen. Por, vetëm kaq mund të bëj të ditur për momentin, sepse jemi ende në tratativa e sipër”. Këto kanë qenë fjalët e para të presidentit të Skënderbeut, Ardjan Takaj dje, në lidhje me zëvendësimin e menjëhershëm të Peter Olainkës. Dy ditë pas zyrtarizimit dhe firmës së re të sulmuesit nigerian te Gent për 1.1 milion euro, Takaj ka gati “goditjen” e parë në merkaton e janarit. Bëhet fjalë për një sulmues të huaj. Në fakt do të jenë dy lojtarë në “tavolinën” e presidentit të Skënderbeut, nga të cilët do të zgjidhet vetëm njëri, sigurisht ai që do të shihet si më i vlefshëm për korçarët, i cili më pas do të jetë në krah të Hamdi Salihit për pjesën e dytë të sezonit. Ka qenë shumë e vështirë që të zbuloje emrin e sulmuesit të ri që do të zëvendësojë Olainkën në merkaton e dimrit, teksa të gjithë drejtuesit te bardhekuqtë janë duke mbajtur sekret identitetin e lojtarit. Kujtojmë që Peter Olainka, dy ditë më parë u zyrtarizua te Genti, skuadër që pagoi 1 miliard e 540 milionë lekë te klubi “Skënderbeu”, një shumë e baras-vlefshme me 1.1 milion euro. Të gjithë kundërshtarët e kampionëve në kampionat “kanë fërkuar duart” në momentin që kanë mësuar largimin e parë nga kampionët. Kjo me mendimin se Skënderbeu të dobësohet, por Takaj as që e mendon një gjë të tillë. Jo më kot, ai ka deklaruar që ekipi do të jetë edhe më i fortë dhe këto politika janë në të mirë të klubit dhe jo për të dobësuar skuadrën. Nga e hëna e ardhshme, pra një ditë pas ndeshjes me Teutën e në vazhdim do të mësojmë edhe emrin e parë që do të vijë në merkaton e janarit te Skënderbeu, i cili do të firmosë për klubin korçar.

BERISHA– Pas zërave të fundit për një largim të mundshëm të mesfushorit kosovar drejt Lokomotivës së Moskës, dje ka reaguar presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj. Numri 1 i klubit korçar përgënjeshtroi arritjen e akordit me rusët dhe transferimin e plotë të Berishës në Rusi. Veç të tjerash, ai sinjalizon se klubi ka gati “goditjet” e radhës dhe shumë shpejt ato do të bëhen publike. E sigurt është se do të jenë lojtarë që do të bëjnë diferencën. “Dua të mohoj kategorikisht ato që shkruhen në media të ndryshme në lidhje me zyrtarizimin e Bernard Berishës te Lokomotiva e Moskës. Nuk ka asgjë të vërtetë për sa i përket shitjes së lojtarit dhe gjithçka është vetëm në kuadrin e bisedimeve”, ka thënë presidenti i Skënderbeut. Në këtë mënyrë, pas Olainkës, asnjë tjetër, të paktën për momentin nuk është zyrtarizuar si largimi i radhës nga radhët e Skënderbeut. Ndërkohë, duhet të presim ditët në vazhdim për të mësuar emrat e tjerë që do të “firojnë” nga kampionët, por flitet se jo më shumë se 2-3 lojtarë do të largohen dhe sigurisht do të zëvendësohen menjëherë. Pas nigerianit të sulmit tashmë janë Berisha, Lilaj dhe Latifi më të përfolurit. Por cilët do të ndjekin hapin e Peter Olainkës? Kjo mbetet për t’u parë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image