Takaj: Ndeshje e madhe, tani e dua Korçën në Elbasan!

Presidenti i Skënderbeut ka festuar përgjysmë pas barazimit në Zagreb, pasi humorin ia ka prishur moviola: Meritonim fitoren, por gjykimi…E dua gjithë Korçën në Elbasan të enjten!

Leonard Trebicka

Ardjan Takaj mbetet presidenti më i suksesshëm në historinë e futbollit shqiptar, jo vetëm për titujt radhazi të fituar me Skënderbeun, por më shumë për atë çfarë ka bërë ky ekip në arenën ndërkombëtare. Korçarët janë të vetmit që kanë shkuar deri në grupet e Europa League dhe sërish janë afër këtij suksesi të madh, si dy vjet më parë, kur e arrinin me një rrugë më të shkurtër, pasi kualifikoheshin direkt nga Championsi. Pas një viti mungesë, Skënderbeu po tregon se është ekipi më i aftë në kompeticionet europiane, ku ka fituar jo pak përvojë. Barazimi i mbrëmshëm e ka kënaqur presidentin Takaj, edhe pse entuziazmin ia kanë prishur pamjet që tregojnë gabimet e gjyqtarëve, në dëm të Skënderbeut. Gjithsesi, ai thekson se Skënderbeu bëri një ndeshje të madhe dhe kërkon me ngulm grupet e Europa League.

I KËNAQUR – “Sigurisht që ndjej keqardhje, sepse pësuam një gol në fund dhe jo vetëm për Skënderbeun, por për çdo ekip që merr gol në kohën shtesë, është për të ardhur keq. Me atë ndeshje që zhvilluam, e them me shumë krenari se meritonim fitoren, por ja që gjithçka u mbyll në barazim dhe nuk kemi çfarë të ndryshojmë tani”, – tha nëpërmjet linjës telefonike për “Sport Ekspres” menjëherë pas ndeshjes së mbrëmshme presidenti Takaj, i cili vazhdonte të merrte mesazhe urimi për rezultatin pozitiv, por edhe i bëhej me dije për gjykimin e padrejtë të ndeshjes nga treshja letoneze.

GJYKIMI – “Kam dyshimet e mia për të dy rastet, për golin që na është anuluar dhe për golin e Dinamos në shtesë. Edhe pse kishim kundër edhe gjykimin, sërish dolëm me rezultat pozitiv. Duhej të kishim dalë me fitore, por na është bërë një padrejtësi në Zagreb”, – ka shtuar Takaj.

BRAVO EKIPIT – “Skënderbeu tregoi forcën e tij në këtë ndeshje. Dua t’i falënderoj të gjithë lojtarët, sepse bënë një ndeshje të madhe dhe meritonim, siç e thashë, të fitonim në fushën e Dinamos së Zagrebit, ku nuk është aspak e lehtë të bësh atë lojë dhe të marrësh rezultat. E ritheksoj, kemi bërë një ndeshje të madhe në transfertë”, – u shpreh numri 1 i klubit korçar, i cili në tribunë shoqërohej edhe nga shumë personalitete të tjera, si zv.kryeministri Niko Peleshi dhe kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo etj.

BESIMI – “Ndeshja e kthimit në “Elbasan Arena”? Kam shumë besim se do t’ia dalim pas një jave, kur stadiumi do të jetë plot me tifozë jo vetëm të Skënderbeut, por edhe nga qytete të tjera të vendit. Nëse luajmë si sot (dje), e them me bindje se do të jetë Skënderbeu ekipi, që do të kualifikohet më tej”, – thekson kreu i klubit korçar.

GRUPET – “Vetëm kur të jemi në grupet e Europa League mund të themi se e kemi realizuar objektivin tonë plotësisht. Kemi shanset tona dhe do të bëjmë gjithçka për të marrë pjesë sërish në këtë fazë. Besoj shumë tek ekipi”, – pohon Takaj.

THIRRJA – “Të gjithë korçarët i dua në stadiumin “Elbasan Arena” të enjten e ardhshme. Të gjithë bashkë do të jemi në mbështetje të Skënderbeut, që po tregon me plot meritë në Europë se çfarë është në gjendje të bëjë. Të gjithë korçarët dhe jo vetëm duhet ta mbështesin ekipin në këtë moment të rëndësishëm”, – ka përfunduar presidenti i Skënderbeut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *