Takaj: Nder i bëjmë vetëm Skënderbeut

0

Me daljen e Skënderbeut në finalen e Kupës së Shqipërisë, kanë nisur të bëhen shumë llogari, pasi, nëse korçarët e fitojnë këtë trofe, shkon në Europë edhe vendi i 4-t i kampionatit. Finalja në fakt është shumë larg, luhet më 31 maj, pasi kampionati të jetë mbyllur, por, duke parë se Tirana ka problematika të ndryshme në skuadër dhe se Skënderbeu ka më shumë shanse ta fitojë Kupën e Shqipërisë, nuk ka si të mos bëhen llogari që në këtë moment. Te Vllaznia dhe Luftëtari që dje kanë gëzuar, sepse me një vend të katërt të mundshëm mund të “katapultohen” në Kupat e Europës, diçka që në fillim të sezonit ndoshta as vetë nuk e kishin ëndërruar.

 

TAKAJ – Presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takajn, nuk e impresionon aspak fakti që ka “në dorë” edhe një ekip tjetër indirekt. Ai tregohet shumë “i ftohtë” në këtë drejtim, duke theksuar se Skënderbeu bën vetëm llogaritë e veta: “Ne luajmë vetëm për veten tonë, nuk bëjmë asnjë llogari të të tjerëve. Luajmë vetëm për Skënderbeun, vetëm për t’i bërë nder ekipit tonë, askujt tjetër”, – theksoi numri 1 i klubit kampion, i cili nuk ka dashur të bëjë asnjë koment në lidhje me kundërshtarin e finales së Kupës së Shqipërisë, Tiranën.
Korçarët janë ende në garë për titullin, pavarësisht gabimeve që kanë bërë. Ajo që i veçon kampionët është se gjithmonë janë përpjekur ta gjejnë gabimin te vetja, pa ngritur alibi si gjykimi apo diçka tjetër. Pas gabimeve me Kukësin dhe Partizanin, Skënderbeu gjeti forca dhe fitoi në Vlorë, fitoi 2 ndeshjet e Kupës me Teutën dhe bëri detyrën me Korabin. Nëse kalon me sukses dy transfertat e radhës, Laçin dhe Luftëtarin, ka shanse të mëdha për titullin dhe presidenti Takaj shpreson, edhe pse është i qartë për vështirësitë e mëdha: “Çdo ndeshje e mbetur është shumë e vështirë. Të gjitha skuadrat kanë objektiva, disa për mbijetesë, disa për vendin e katërt dhe të tjerat luftojnë për titullin kampion. Të gjitha ndeshjet janë të forta”, – ka përfunduar presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here