Takaj: Merkatoja lëviz vetëm nëse shesim

Kishte javë të tëra që mungonte me deklaratat e tij në shtyp. Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, ka folur shkurt dje nga Korça, ku ka komentuar atë çfarë është bërë në ekip gjatë kësaj kohe, por edhe çështjen zgjedhjeve në FSHF. Presidenti Takaj ka ardhur në Korçë direkt pas kthimit nga Turqia dhe dje ka pohuar se merkatoja e Skënderbeut është mbyllur, ashtu siç deklaroi një ditë më parë edhe djali i tij, administratori Gerhard Takaj. Kështu, tifozët korçarë mund të presin ndonjë lojtar të ri në ekip vetëm nëse do të ketë ndonjë shitje gjatë këtyre ditëve.

“Mund të deklaroj se jemi në pritje për të parë se çfarë do të ndodhë me lëvizjen e ndonjë futbollisti në merkaton në dalje. Nëse deri në fund të janarit nuk largojmë asnjë lojtar, sigurisht që merkatoja është e mbyllur me kaq. Por, nëse dikush do të largohet pas ofertave që kemi marrë nga klube të tjera, ju premtoj se do të ketë edhe një “goditje” tjetër të madhe, që të rregullojë nivelin e ekipit. Këtë e them, pasi Skënderbeu është i kompletuar dhe nuk kemi nevojë të afrojmë pa shitur lojtarë. Gjithçka që i duhet një ekipi të kompletuar, ne e kemi. Kemi elementët më të mirë në skuadër. Janë disa lojtarë, për të cilët ka oferta nga klube të ndryshme dhe emrat e tyre tashmë dihen, pasi janë bërë publikë prej shumë kohësh. Ofertat janë konkrete dhe jemi në fazën e vlerësimit. Të presim dhe të shohim, pasi kemi ende ditë deri në fund të merkatos dhe gjithçka mund të ndodhë,” – ka theksuar në lidhje me ekipin presidenti Ardjan Takaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *