Takaj: Ky, Skënderbeu më i fortë i të gjitha kohërave

Menaxheri i përgjithshëm flet për ecurinë e skuadrës, merkaton dhe titullin kampion. Europa League është një tjetër temë diskutimi dhe në Korçë nuk dorëzohen

Leonard Trebicka

“Nëse vendosim që të mos shesim asnjë lojtar në merkaton dimërore, nuk do të afrojmë asnjë, pasi nuk do të jetë e nevojshme për të fuqizuar skuadrën”. Këto e shumë të tjera ka thënë dje për “Sport Ekspres” Menaxheri i Përgjithshëm i Skënderbeut, Gerhard Takaj, i cili ka folur për fazën e parë, grupin e lojtarëve, objektivin e mbetur në këto dy ndeshje europiane dhe shumë të tjera.

 

Takaj, në mbyllje të fazës së parë Skënderbeu kryeson i vetëm me +7 pikë nga ndjekësi më i afërt. E prisnit?

Në fakt mund ta them që është diçka që e prisnim të gjithë, pavarësisht se me kaq shumë pikë diferencë me vendin e dytë dhe me të tjerët nuk e mendoja. Gjithsesi jemi në krye dhe në rrugën e duhur.

 

25 pikë në total dhe Daja dhe Skënderbeu i këtij viti ka thyer çdo rekord. E pritshme për ju si Menaxher i Përgjithshëm?

Ekipi i këtij viti është më i forti gjatë gjithë historisë së klubit. Këtë bazoj tek emrat dhe te forca që ka grupi, pasi janë 24 lojtarë ndër më të mirët e kampionatit dhe ju e keni parë që edhe për të zgjedhur stolin është e vështirë, e jo më formacionin.

 

Ku qëndron sekreti i këtij Skënderbeu?

Sekreti i këtij Skënderbeu është familja e madhe që ne kemi dhe padiskutim puna që bëhet te kjo skuadër, menaxhimi i duhur dhe përzgjedhja profesionale e ekipit dhe stafit.

 

Në fakt, skuadra ka luajtur 6 ndeshje në shtëpi dhe 3 në transfertë. Kjo do të thotë që fazën e dytë do ta ketë të vështirë?

Çdo gjë varet se si do të shkojë deri në fundin e këtij muaji, pra në këto ndeshje të para, kur ne të përballemi me Flamurtarin, Kukësin dhe Partizanin. Gjithsesi unë besoj shumë që do të jemi të njëjtët dhe nuk mendoj që mund të ndalemi, sidomos ndaj këtyre kundërshtarëve që përmenda edhe më sipër.

 

Cilët nga lojtarët do të vlerësonit në fazën e parë?

Të gjithë padiskutim do t’i vlerësoja. Madje edhe futbollistët e stolit, që i kemi shumë të fortë. Kjo bën që edhe diferenca të mos ndihet aspak në ekip.

 

Shumë lodhje te lojtarët me kaq shumë ndeshje. Ky pushim, a ka ardhur në momentin e duhur?

Ngarkesa deri tani vërtet ka qenë shumë e lartë dhe ky pushim absolutisht që duhej. Pavarësisht kësaj, ne e kemi përballuar më së miri si paraqitjen shumë të mirë në Superiore, por edhe në Europa League.

 

Disa lojtarë janë ftuar me kombëtaret. A ka të tjerë që e meritojnë të jenë në kombëtare?

Nëse edhe të tjerët do ta meritojnë, patjetër që një ditë do të jenë atje, por këtë më mirë se kushdo tjetër e di Panuçi dhe stafi i tij.

 

Faza e dytë starton me transfertën vlonjate. Kur mendoni se Skënderbeu do të ndalet?

Ne jemi futur që në fillim të sezonit me mendimin që të mos ndalemi dhe të sigurojmë titullin sa më shpejt të jetë e mundur. Deri tani e kemi bërë në mënyrën më të mirë këtë. Përse të mos vazhdojmë deri në fund me këtë ritëm.

 

Rikthimi te titulli kampion, është më i lehtë këtë sezon, apo…?

Kurrë nuk është e lehtë që të fitohet një titull kampion. Këtë vit jemi shumë të fokusuar që ta rikthejmë sërish titullin kampion në Korçë dhe të rikthehemi verën e ardhshme në UEFA Champions League.

 

Pas Skënderbeut vjen Kukësi dhe më pas Flamurtari e me radhë. Kush janë rivalët e korçarëve?

Rivalë janë të gjitha skuadrat që ndodhen disi poshtë nesh dhe ky është mendimi im. Ndërkohë që edhe Flamurtari ka një skuadër shumë të mirë dhe individë po kaq të mirë.

 

Nëse mund të na thoni diçka për Europa League. Kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund. Sa shanse ka Skënderbeu për vendin e dytë?

Shanset janë deri në ndeshjen e fundit dhe përderisa ne i kemi këto shanse do të tentojmë, përse jo të mos e bëjmë mrekulli edhe këtë ëndërr të madhe. Ne do të bëjmë vetëm detyrën tonë dhe duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës, që e kemi me Dinamon e Kievit. Nuk duhet të mendojmë për rezultatet e rivalëve tanë.

 

Merkatoja dalëngadalë po afron. Kemi ndonjë të re për lojtarët që do të shiten, apo për ata që keni piketuar për t’i sjellë te Skënderbeu?

Nëse vendosim që të mos shesim asnjë lojtar në merkaton dimërore, nuk do të afrojmë asnjë, pasi nuk do të jetë e nevojshme për të fuqizuar skuadrën, që të fortë e kemi.

 

Së fundi, Martin Nespor që ka vlejtur miliona, apo edhe ndonjë tjetër, kanë marrë shumë pak minuta. Çfarë mund të na thoni?

Janë zgjedhjet e trajnerit të gjithë ata që janë në fushën e lojës. Kjo tregon se jemi shumë të kompletuar. Gjithsesi edhe Nespor do ta japë kontributin e tij dhe për këtë jam i bindur që do të ndodhë në vazhdim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *