Takaj: Ky është ekipi më i fortë që kemi pasur, mund të përforcohemi sërish

0

Presidenti i Skënderbeut lë të hapur mundësinë e ndonjë afrimi nga kampionati ynë, por nuk përmend emra: Pretendimet tona janë gjithmonë në rritje

Leonard Trebicka

Ka preferuar ta prezantojë vetë sulmuesin Martin Nespor. Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj ishte në Korçë dhe në një intervistë për “Sport Ekspres” tha se merkatoja është mbyllur, por la të hapur edhe mundësinë e ndonjë lëvizjeje të fundit. I pari i klubit korçar theksoi se Skënderbeu nuk kënaqet me kaq, por do të jerm serioz edhe në grupet e Europa League, ndërsa për kampionatin shprehet se objektivi i vetëm është titulli. Mes të tjerash, Takaj thotë se grupi aktual është më i forti që Skënderbeu ka pasur në këto vitet e fundit.   

– Takaj, a mund ta quajmë afrimin e sulmuesit Nespor edhe mbylljen e merkatos së Skënderbeut?

– Në fakt, Nespor është blerja e fundit për Skënderbeun, por nuk e përjashtoj mundësinë e ndonjë afrimi të fundit nga kampionati shqiptar. Nga përzgjedhja që kemi bërë ne si klub, Nespor është futbollisti më cilësor i kësaj merkatoje vere.

– Skënderbeu ka afruar shumë lojtarë, madje nga klube europiane. Kjo strategji, a e ngre klubin në një stad më të lartë?

– Normalisht, Skënderbeu ka vite që po punon. Vit për vit përmirësohet merkatoja, përmirësohet përzgjedhja dhe rriten edhe pretendimet e Skënderbeut. Kemi pretendime më të mëdha këtë vit. Skënderbeu kaloi 4 ture europiane, është në grupet e Europa League dhe tani synojmë të bëjmë më mirë edhe në grupe. Nuk i dihet, me pak fat mund të ecim më tej.

– Dy vitet e fundit keni shitur 4 lojtarë cilësorë dhe arka e klubit është mbushur. Mos keni ndryshuar plan këtë verë, ku më shumë keni afruar lojtarë?

– Kjo është politika e Skënderbeut që në nisje. Janë marrë futbollistë, janë formuar te ky ekip dhe më pas janë shitur. Edhe këta lojtarë që kanë ardhur tani, janë me shumë perspektivë dhe shpresojmë shumë se mund të jenë gati për tregun europian.

– Ka kërkesa për lojtarë të Skënderbeut nga jashtë?

– Sigurisht që ka. Lojtarët e Skënderbeut kanë shkuar në ekipe shumë të forta dhe me emër, që tregon se kualiteti i lojtarëve të këtij ekipi është i lartë. Kemi lojtarë të gatshëm të luajnë në Europë.

– Grupet e Europa League nuk janë risi në fakt, por këtë here keni më shumë ambicie, apo jo?  

– Pretendimet e Skënderbeut nuk është se përfunduan këtu, në grupet e Europa League. Do të punojmë fort dhe do të jemi shumë seriozë në grupe, pse jo të mos shpresojmë edhe ne të ecim më sipër.

– Gjithë këta futbollistë të ardhur mos ndoshta e prishin pak balancën në grup, pasi janë më shumë se 25 vetë?

– Absolutisht jo. Në rast se këta do të menaxhohen mirë, këtu ka vend për të gjithë. Janë tre kompeticione dhe ka vend të luajnë të gjithë. E theksova më sipër se me pak kujdes grupi mund të bëjë shumë mirë. Besoj se ky është viti, kur grupi është shumë më i kompletuar.

– Kampionati duket se do të jetë më “i egër” se të kaluarit. Ju si mendoni?

– Superliga “e egër” ka qenë gjithmonë. Jemi futur me pretendimet tona dhe gjithmonë kemi qenë aty. Objektivi i këtij ekipi ka qenë i qartë: titulli kampion.

– Sezonin e kaluar në fakt nuk ishit fort i qetë edhe karshi FSHF-së. Ju është ngrënë hapur, nëse mund të shprehemi kështu?

– Grupi ynë ka qenë i duhuri realisht. Sulmet që ka pasur Skënderbeu besoj se krijuan ato problemet e veta gjatë rrugës. Normalisht, të menaxhosh një grup që ndodhet nën presionin e sulmeve, është e vështirë. Ju i dini mirë historitë e gjithë kësaj periudhe. Kemi arritur deri këtu dhe ky është sukses i grupit dhe i Skënderbeut. Grupi ka qenë shumë i fortë, madje ishte gati të shpallej kampion. Ishim afër, por fati nuk deshi.

– Me këtë grup futbollistësh kaq cilësorë, titulli është i sigurt sezonin e ri?

– Asgjë nuk është e sigurt. Titulli sigurohet me punë dhe seriozitet, duke luftuar deri në vërshëllimën e fundit të sezonit. Atëherë mund të flasësh me siguri. Po punojmë shumë fort që të jemi gati për titullin kampion.

Image may contain: 2 people, people standing and text

 

Presidenti në Korçë, takon ekipin

Ka dy ditë që ndodhet në Korçë dhe pasditen e djeshme ka takuar ekipin, duke “e bekuar” para sezonit të ri. Presidenti Ardjan Takaj, bashkë me zëvendësin Arlind Boshku dhe drejtues të tjerë, janë shfaqur dje në ambientet e stadiumit. Vetë Takaj ka prezantuar blerjen e fundit verore, çekun Martin Nespor. duke e cilësuar atë më të madhe të Skënderbeut. Pak minuta më pas Takaj është futur në dhomat e zhveshjes, ku nuk ka qëndruar më shumë se 5 minuta. Nga biseda që ka pasur me lojtarët mësohet se numri 1 i klubit korçar i ka uruar për një sezon sa më të mbarë. Skënderbeu do të luajë në tre kompeticione dhe do të ketë ngarkesë të lartë. “Bosi” i Skënderbeut ka ndjekur nga afër stërvitjen e djeshme në aneksin e stadiumit.   

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.