Takaj kthehet në tribunë, Shehi i dhuron Lilajt shiritin  

0

Presidenti i Skënderbeut kthehet në Korçë. Pas ndeshjes, trajneri i Lushnjës “zhduket”, duke mos u paraqitur para gazetarëve

Ndeshja e djeshme në Korçë kishte të veçantat e saj. Ra në sy fillimisht rikthimi në Korçë i presidentit Ardjan Takaj, i cili dje ishte në vendin e tij në tribunën qendrore. Fatjon Sefa është duartrokitur nga tifozët në stadium, ndërsa tifozët korçarë kanë rikthyer “Traktorin” e famshëm të shumë viteve më parë, duke brohoritur “Traktori-Traktori”. Ja disa nga episodet më interesante të kësaj ndeshjeje:

– Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, është kthyer në juglindje. Ai e ka ndjekur takimin me zv/presidentin Arlind Boshku dhe kryebashkiakun e Korçës, Sotiraq Filo.

– Vetëm 1 mijë tifozë ishin të pranishëm dje në stadiumin “Skënderbeu”, edhe pse koha ishte shumë e përshtatshme. Kundërshtari që kishte përballë Skënderbeu duket se ka bërë që tifozët të mos denjonin të vinin në stadium.

– Shiritin e kapitenit Shehi dje ia dhuroi Sabjen Lilajt. Një tjetër gjest i veçantë i durrsakut, që në maj do ta lërë futbollin.

– “Ultrasit” e Skënderbeut, pas bojkotit të një jave më parë, dje ishin në vendin e tyre, në tribunën C, ku kishin shpalosur edhe banderolën e zakonshme “Ujqërit e dëborës”.

– Osmani, pas shumë muajsh, rikthehet në qendër të mbrojtjes. Edhe Aliti, pas shumë javësh, luajti në të majtë të mbrojtjes, në mungesë të Gledi Micit, i cili ishte i skualifikuar dhe e pa ndeshjen nga tribuna.

– Ali Soue, me golin e shënuar dje, është ngjitur në kuotën e 11 golave dhe është kandidat për “Këpucën e artë”.

– Në minutën e 33-të ka pasur edhe humor në fushë. Gjyqtari anësor, Enea Pashaj, rrëshqiti dhe ra përtokë. Edhe vetë ai ka qeshur, bashkë me tifozët që kishte prapa shpine.

– Në minutën e 38-të, në një goditje dënimi për Skënderbeun, me humor Gavazaj dhe Lilaj po “ziheshin” kush ta gjuante. Në të tilla raste fiton një i tretë, Marko Radas, që nuk le asnjërin prej tyre dhe e gjuajti ai.

– Në limitin e pjesës së parë, Sefa shënoi dhe tifozët u ngritën në këmbë, duke e duartrokitur ish-in e Skënderbeut. Sefa ua ktheu me duartrokitje. Një gjest i veçantë, por pas golit topi nuk u vendos fare në qendër, pasi nuk kishte kohë.

– Tifozët korçarë, pas ndeshjes, kanë duartrokitur skuadrën e tyre për fitoren dhe në mënyrë të çuditshme duartrokitën edhe futbollistët miq me thirrjet: “Traktori-Traktori!”.

– Zv/trajneri Dritan Çuko, pas ndeshjes së djeshme, është “zhdukur” nga stadiumi. Gazetarët e kanë kërkuar, por ai nuk është dukur gjëkundi.

– Gazetarja e “Supersport” ka ngatërruar njërin nga gazetarët e Korçës me trajnerin e Lushnjës dhe e ftoi të dilte në lidhje direkte me studion qendrore. Por gazetari i tha se nuk është trajner dhe ky moment ka kaluar me buzëqeshje.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.